Bojan Jovanovski i akuzuar në rastin “Reket”, shpallet fajtor dhe dënohet me 9 vite burg. Ndërsa ish shefja e Prokurorisë Speciale, Katica Janeva me 7 vite burg. Bojan Jovanovski, vendimin e gjykatës e cilësoi si vendim tendencioz dhe politik.
“E di sa do të ma zgjasni paraburgimin, sepse për këtë keni urdhër”, u shpreh Boki 13.
Ish shefja e prokurorisë Speciale, Katica Janeva nuk ishte prezentë në seancën e sotme të rastit “Reket”, për të dëgjuar aktgjykimin.
Lëndën gjyqësore kundër Jovanovskit dhe Janevës e udhëhoqi gjykatësja Vaska Nikollovska-Masevska, ndërsa përfaqësues i akuzës ishte prokurorja Villma Ruskoska.
Gjykatësja Vaska Nikollovska Masevska gjatë seancës theksoi se Katica Janeva në vendin tonë ishte shpresë për sistemin e drejtësisë se e njejta do të sjellë drejtësi të barabartë për të gjithë qytetarët por ja që e njejta doli krejtësisht ndryshe. Gjykatësja tha se kjo lëndë ka dëmtuar rëndë sistemin gjyqësor në Maqedoni dhe ka shuar shpresat e qytetarëve për drejtësi.
Rasti “Reket” ka të bëjë me shoumenin Boki13 dhe biznesmenin Mileski, të cilët biznesmenit Orce Kamçev, i kanë marrë 1.5 milionë euro për të ndërprerë hetimet që po zhvilloheshin ndaj tij nga ana e Prokurorisë Speciale dhe ishte ngritur lënda e parë e njohur si “Perandoria”, ku Kamçev ishte i dyshuari i parë për pastrim parash dhe vepra tjera. Janeva kishte përfituar para në këtë aferë tronditëse për vendin.










