Në seancën e sotme për rastin “Monstra” në të cilën trupi gjykues i ka parashtruar pyetje dëshmitarit të koduar “E1”, avokati i të akuzuarve, Naser Raufi, tha se seanca e sotme dëshmoi se të akuzuarit nuk kanë të bëjnë asgjë me rastin e vrasjes së pesëfishtë dhe se dëshmitari i mbrojtur është i rrejshëm.
“Nga rrëfimi i sotëm të dëshmitarit të mbrojtur del se ai ka dëgjuar të shtënat, ndërsa mendoj se u përgjigj dhe tha se ka parë se kush ka shtënë, por më pas demantoi dhe tha se nuk ka parë asgjë. Unë jam i bindur se ai e dinë se kush ka shtënë, por nuk i di arsyet pse nuk i tregon ata që e kanë bërë këtë vepër”, ka thënë Raufi.
I pyetur për ekstradimin e dy të akuzuarve të rastit “Monstra”, Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri të cilët gjenden në Kosovë, Raufi tha se është i bindur se nuk do të ndodh ekstradimi i tyre ngase është evidente se bëhet fjalë për njerëz të pafajshëm.









