Reformë apo vazhdimësi në BDI? A do të ketë guxim Ahmeti të shkëputet nga figurat e vjetra?

A do të ketë guxim Ali Ahmeti ta reformojë realisht BDI-në, duke u ndarë nga figurat e konsumuara dhe duke hapur rrugë për kuadro të rinj?

Kongresi i së shtunës (20 dhjetorit) e gjen Bashkimin Demokratik për Integrim në ndoshta momentin më kritik të historisë së tij politike. Kërkesa për ndryshim nuk është më retorikë opozitare, por presion i drejtpërdrejtë nga elektorati dhe nga vetë realiteti politik – thonë analistet.

Sipas tyre, reforma nuk mund të kufizohet në korrigjime formale apo rotacion emrash brenda së njëjtës strukturë. Ajo kërkon rishikim të thellë të mënyrës së vendimmarrjes, përgjegjësisë politike dhe përfaqësimit brenda partisë. Pa ndryshim të arkitekturës së pushtetit të brendshëm, çdo reformë rrezikon të mbetet deklarative.

“Esenca e reformës nuk qëndron në ndryshime kozmetike, por në riformatim të mënyrës së të menduarit dhe të vepruarit politik. Një statut që përkufizon mandatet, ndan qartë kompetencat por edhe, mbi të gjitha, përgjegjësitë , forcon rolin e liderit, por edhe të organeve partiake me peshë reale politike, duke vendosur njëkohësisht mekanizma të brendshëm kontrolli. Pa ndryshim të arkitekturës së pushtetit brenda partisë, s’ka reformë: ka vetëm rotacion figurash”, tha Gazmend Ajdini – analist.

Burime mediatike flasin për ndryshime të thella në strukturën drejtuese dhe përgatitje të një vale largimesh nga kryesia, si hap drejt rifreskimit të partisë. Jozyrtaisht, për largim po përmenden emrat si: Fatmir Dehari, Musa Xhaferi, Xhevat Ademi, Teuta Arifi, Ramiz Merko, Sadulla Duraku, Resi Abdurrahmani e të tjerë.

Parashikohen gjithashtu ndërhyrje në degë dhe zëvendësim i udhëheqjeve lokale, me synimin për të rikthyer besimin e elektoratit dhe për të krijuar hapësirë për energji të reja politike.

Njohësit politikë thonë se pa largimin e emrave të konsumuar, reforma reale mbetet e pamundur. Analisti Sefer Selimi thotë se kjo situatë në BDI kërkon ndërhyrje të thellë strukturore.

“Duhet të ketë reflektim të thellë edhe nga vet njerëzit të cilët kanë qenë në politikë më tepër se 20 vite dhe janë konsumuar nga opinioni publik, si dhe do të mundësojnë hapjen e rrugës për energji të reja, për figura të reja”, u shpreh Sefer Selimi – analist.

Lideri i partisë Ali Ahmetin tani përballet me sfidën për të menaxhuar një tranzicion të vështirë: Ose do të vazhdojë me të njëjtën qasje dhe të njëjtët aktorë politikë, ose do të hapë një kapitull të ri me ndryshime thelbësore. Në fund, dilema mbetet e qartë: A do të shndërrohet Kongresi i 20 dhjetorit në pikë kthese që i jep BDI-së një drejtim të ri dhe një shans për ringritje, apo do të mbetet një ritual formal që vetëm sa konfirmon vazhdimin e rënies politike? Përgjigjja varet nga një vendim kyç – nëse Ali Ahmeti është i gatshëm ta udhëheqë ndryshimin, apo ta shtyjë atë edhe një herë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu