Refuzimi i Mickoskit nxit reagimin e BDI-së, Osmani: BDI jashtë qeverisë, s’do të ndodhë

Refuzimi hapur i Hristijan Mickoskit për bashkëqeverisje me BDI-në në mandatin e ardhshëm ka bërë që kjo e fundit të ashpërsojë retorikën ndaj tij. Sipas partisë së Ahmetit, kjo gjë nuk do të ndodhë dhe vullneti i popullit do të respektohet.

“Ne qeverinë e shohim si mundësi për t’i arritur këto qëllime për dallim nga ato që janë të gatshëm që për qeveri të rrezikojnë edhe popullin dhe vullnetin e popullit. Një gjë dua t’u them; kjo gjë nuk do të ndodhë, vullneti i popullit nuk mund të shkelet as sot, as asnjëherë. Më vjen keq që kemi ardhur në situatë që të rikthejmë memorien e Jugosllavisë kur Beogradi i thoshte shqiptarëve, pavarësisht se çfarë dëshironi ju, Rrahman Morina do t’ju përfaqësojë juve dhe Rrahman Morina me cinizëm qeshte para vullnetit të popullit”, tha Bujar Osmani, BDI.

Opozita shqiptare nga ana tjetër, aludon në një marrëveshje të mundshme mes tyre dhe VMRO-DPMNE-së ku përfshihen ndryshimet kushtetuese dhe pozita të rëndësishme me anë të së cilave, siç thonë ata, do të luftohet krimi. Për më tepër, liderët e VLEN thonë se BDI-ja nuk mund të quhet më parti e pastër shqiptare, pas gjithë emrave nga pakicat në listën për deputetë.

“Si garuesit e vetëm në kampusin politik shqiptar dhe sigurisht fitues të këtij blloku, jemi edhe përfaqësuesit e vetëm dhe legjitim të shqiptarëve në këto zgjedhje. Rrjedhimisht, kjo na detyron të përfaqësojmë shqiptarët edhe në qeverisjen e ardhshme, ku ndër të tjera do të menaxhojmë institucione të rëndësishme nga sektori i Punëve të Brendshme, të cilat janë përgjegjëse për sanksionimin e krimit dhe korrupsionit, për të luftuar fuqishëm dhe drejtpërdrejt krimin dhe korrupsionin e kahershëm”, tha Afrim Gashi, kryetar i Alternativës, VLEN.

BDI-ja akuzon VLEN-in se është e gatshme të hyjë në qeveri me VMRO-DPMNE-në pa asnjë kusht megjithatë Mickoski një ditë më parë tha se është Ahmeti ai që tregohet si ideolog por që dërgon emisarë për të hyrë në qeveri pa kushte. Mickoski edhe në takimin e fundit me qytetarët tha se është koha që BDI-ja të shkojë në opozitë.

“Në këto zgjedhje është koha që duhet t’u themi ishte mjaft, është koha për në opozitë, është koha për përgjegjësi. E dëgjoj Aliun, thotë që duhet ta dëgjojmë popullin dhe të mos më dëgjojnë mua kur them se kush do ta formojë qeverinë e ardhshme. Pikërisht për herë të parë pajtohem me Aliun do ta dëgjojmë popullin dhe një gjë është e sigurt; qeveria e ardhshme do të formohet nga koalicioni “Maqedonia e jotja” e drejtuar nga VMRO-DPMNE-ja kurse presidente e ardhshme do të jetë Gordana Siljanovska Davkova”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu