Regjistrimi i popullsisë, Zaev pranon të shtyhet për pak muaj, Mickovski kundër

Kryeministri Zoran Zaev ka pranuar propozimin e presidentit Stevo Pendarovski dhe ka shprehur gatishmëri për shtyrjen e regjistrimit. Ai ka thënë se në verë dhe në vjeshtë nuk mund të realizohet ky operacion, andaj ka sugjeruar që të shtyhet për një ose dy muaj.

Zoran Zaev

“E pash edhe propozimin e presidentit të shtetit Pendarovskit që të shtyhet regjistrimi për disa muaj, OK – unë jam gjithmonë i gatshëm, gjithçka vlen për t’u menduar. Gjatë verës e dimë se regjistrimi nuk realizohet, shtatori është fushatë, tetori është koha e zgjedhjeve lokale dhe të mendoni për një muaj ose dy, diku mesi i qershorit tashmë e shohim se atë e ka refuzuar opozita”.

Nga VMRO-DPMNE kanë kundërshtuar Pendarovskin duke e quajtur hipokrit pasi fillimisht nënshkruajti ligjin për regjistrimin dhe tani propozon shtyerjen e të njëjtit. Ndërkohë lideri i kësaj partie, Hristijan Mickoski, ka dorëzuar në KSHZ iniciativën për grumbullimin e nënshkrimeve kundër Ligjit të regjistrimit. Ai ka kërkuar që regjistrimi të shtyhet jo për 1-2 muaj, por për një vit, ose i njëjti të realizohet në formë elektronike për të ruajtur shëndetin e qytetarëve.

Hristijan Mickoski

“Apelojmë deri tek qeveria që të pranoj propozimin e opozitës për regjistrim elektronik. Nuk ishit në gjendje të mbroni shëndetin e qytetarëve, andaj apelojmë të mos e rrezikoni atë më shumë. Pranoni propozimin për regjistrim elektronik, sepse shëndeti dhe jeta e qytetarëve nuk kanë çmime. Merrni guximin ose bëni regjistrim elektronik, ose shtyjeni për vitin e ardhshëm”

Presidenti Pendarovski mbrëmë ftoi pushtetin dhe opozitën që të zgjasin dorën dhe të arrijnë kompromis për shtyrje të regjistrimit për në maj ose në qershor. Kështu ai tha se do të arrihej edhe të realizohet ky operacion, por edhe të mos bojkotohet nga ana e opozitës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu