Republika Demokratike e Kongos ndalon diplomatët të udhëtojnë jashtë kryeqytetit

Republika Demokratike e Kongos (DRC) ka ndaluar udhëtimin e ambasadorëve dhe shefave të misioneve diplomatike jashtë kryeqytetit Kinshasa pa autorizimin paraprak nga autoritetet. Presidenti Felix Tshisekedi mori këtë vendim mbrëmë vonë në pallatin presidencial gjatë një takimi të posaçëm të sigurisë me kryediplomaten e vendit, zv/ministrin e Mbrojtjes dhe zyrtarë të sigurisë.

Takimi pasoi një ditë pas vrasjes së ambasadorit të Italisë, Luca Attanasio dhe dy të tjerëve në një sulm ndaj një autokolone të Programit Botëror të Ushqimit (WFP) në pjesën lindore të vendit.

Presidenti Tshisekedi më herët dënoi “aktet e tmerrshme” të kryera në zonën Kibumba afër qytetit Goma dhe urdhëroi një hetim mbi incidentin.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Marie-Therese Tumba Nzeza, e cila foli në një konferencë për media, tha se, “Ambasadorët dhe përfaqësuesit e tjerë të përfaqësive nuk mund të largohen më nga Kinshasa për në brendësi të vendit pa informuar shefin e diplomacisë (Ministrinë e Punëve të Jashtme) dhe shërbimet e tjera kompetente”.

Është bërë një angazhim për të forcuar sigurinë në zonat e kuqe, pjesë të DRC-së që konsiderohen me rrezik të lartë“, tha ajo.

Sipas kryediplomates Nzeza, autorizimit nga autoritetet në Kinshasa, diplomatët do të duhet të raportojnë vetë tek autoritetet e komuniteteve që vizitojnë. Para takimit në pallatin presidencial, Tshisekedi vizitoi familjen Attanasio në qendër të kryeqytetit Kinshasa dhe u shprehu ngushëllimet e tij.

Trupi i diplomatit italian dhe truprojës së tij pasditen e djeshme u kthyen nga Goma në Romë përmes një aeroplani të forcave ajrore italiane. Papa Françesku i dërgoi një mesazh ngushëllimi presidentit italian, Sergio Mattarella, duke shprehur keqardhje për “sulmin tragjik“.

Përgjegjës për sulmin kundër misionit diplomatik u shpallën Forcat Demokratike për Çlirimin e Ruandës (FDLR), një grup rebel që vepron në DRC-në lindore. Disa grupe rebele në DRC-në lindore kanë kryer sulme të ndryshme, duke vrarë dhe rrëmbyer civilë në rajon për dekada.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), shfrytëzimi i paligjshëm i burimeve natyrore vazhdon të jetë një shkak themelor dhe nxitës i konfliktit në lindje të vendit. Shumica e grupeve të milicisë kanë lënë mënjanë kërkesat e tyre politike dhe janë përfshirë në trafikimin e mineraleve.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu