Mediet ndërkombëtare i kanë ndjekur me vëmendje zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni.
“Sipas Komisionit Zgjedhor, partia e drejtuar nga Nikolla Gruevski ka fituar 37.96 për qind të votave, ndërsa Zoran Zaev 36.65 për qind, referuar rezultateve që komisioni i zgjedhjeve ka publikuar bazuar në numërimin e rreth 98 për qind të votave”, shkruan “Reuters” pas zgjedhjeve në Maqedoni.
Zgjedhjet parlamentare erdhën pothuajse një vit pasi Gruevski dha dorëheqjen si kryeministër në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për t’i dhënë fund një krize në vend pas skandalit të korrupsionit.
Por, pavarësisht kritikave të Bashkimit Europian ndaj Gruevskit, ky i fundit, edhe pse me rezultat të ngushtë, arriti të fitojë sërish zgjedhjet.
Tashmë, Reuters thekson se kushdo që fiton, duhet të bëjë koalicion me partitë që përfaqësojnë shqiptarët dhe se tashmë varet nga ata se kush do t’i fitojë zgjedhjet në Maqedoni.