Rezultatet e marrëveshjes së Brukselit, Njësia Speciale fillon tërheqjen, veriu i Kosovës drejt normalitetit

Marrëveshja e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë po çon veriun e Kosovës drejt normalizimit pas 13 ditësh tensione. Me largimin e kamionit të fundit dhe tendave, edhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës është larguar nga pjesa veriore e Kosovës.

Njësitë speciale ishin vendosur aty të hënën e 20 shtatorit, pas vendimit të qeverisë për reciprocitet me targat e automjeteve të Serbisë, janë larguar vetëm sot, pasi 2 tetori ka qenë dita dhe afati i tërheqjes sipas marrëveshjes së arritur nga Kosova e Serbia në Bruksel.

Tërheqja e policisë së Kosovës, ka ndodhur pas largimit të barrikadave nga serbët lokalë, që e kishin bllokuar rrugën me kamionë e mjete tjera të rënda ditën kur policia ishte vendosur në dy pikat kufitare Jarinje e Bërnjak, raporton express.

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë arritur pajtueshmëri më 30 shtator për çështjen e targave dhe zhbllokimin e veriut. Sipas 3 pikave të marrëveshjes Njësitet Speciale tërhiqen pasi pjesëtarët e KFOR-it vendosen në dy pikat kufitare dhe hiqen barrikadat.

3 pikat e marrëveshjes;

-Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.

-Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.

-Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu