Gjykata Administrative e Maqedonisë brenda 48 orësh duhet të marrë vendim nëse i pranon ankesat e parashtruara nga opozita maqedonase për parregullsi zgjedhore, duke qartësuar nëse do të ketë rivotime, shkruan REL.
Komisioni Evropian thotë se pret që sa më shpejtë të mblidhet përbërja e re parlamentare e dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare për të formuar qeverinë e ardhshme të Maqedonisë e cila do të duhet të angazhohet në reformat në drejtësi në përputhje me marrëveshjet e arritura paraprakisht mes partive politike.
Lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, pasi është takuar me ambasadorin amerikan në Shkup Jess Baily, përmes një komunikate me shkrim ka bërë të ditur se nga diplomati amerikan ka kërkuar të respektohet vullneti i qytetarëve të cilët votuan për ndryshime.
“Shumica e qytetarëve në Maqedoni, kanë zgjedhur ndryshime në zgjedhjet parlamentare. Shumica e vullnetit qytetar patjetër duhet të respektohet. Republika e Maqedonisë do të fitojë Qeverinë e cila do të punojë në interes të qytetarëve të Maqedonisë”, thuhet në kumtesën e kryetarit të LSDM-së Zoran Zaev.
Në pritje të vendimit të Gjykatës Administrative njohësit e çështjeve politike thonë se rezultati i ngushtë mes partive kryesore maqedonase OBRM-PDUKM-së me 51 deputetë dhe Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë me 49 deputetë të fituar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit, e bën shumë të vështirë krijimin e një qeverie stabile.










