Rikthimi i mundshëm i Kuvendit varet nga Gjykata Kushtetuese (VIDEO)

Gjykata Kushtetuese nesër do të vendosë nëse do të formojë lëndë për vlerësimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë së vendimit për shpërndarjen e Kuvendit. Në konsultime mes gjykatësve do të merret vendim nëse nisma e gjykatësit të Kushtetueses Osman Kadriu do të vendoset ose jo në rend dite. Kushtetuesja javë më parë kishte vendosur që nuk ka bazë për të vlerësuar kushtetutshmërinë e vendimit për shpërndarjen e Kuvendit por tashmë situata ka ndryshuar meqë zgjedhjet e 12 prillit nuk u realizuan. Nëse me këtë nismë nuk arrihet rikthimi i Kuvendit, vendi do të jetë përpara një dileme tjetër ose një krize institucionale.

Përfundimi i gjendjes së jashtëzakonshme më 16 maj do të zhveshte Qeverinë nga kompetenca për të sjellë urdhëresa me formë ligji. LSDM-ja beson se Kuvendi duhet të rikthehet dhe, sa më shpejt që të jetë e përshtatshme, të mbahen zgjedhje të reja.

Menjëherë pas normalizimit të situatës me virusin korona duhet të shkohet në zgjedhje. Pse? Sepse kjo është shumë e rëndësishme dhe është mirë edhe për ekonominë, sigurisht, duke i pasur parasysh edhe mendimet që qarkullojnë në Evropë dhe në botë se ndoshta na pret një valë e re e virusit, është e përgjegjshme të kemi zgjedhje demokratike dhe është e përgjegjshme të kemi parlament funksional – u shpreh Kostadin Kostadinov, zëdhënës i LSDM-së.

VMRO-DPMNE-ja nuk dëshiron të parashikojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese por është kundër zgjedhjeve në këtë periudhë.

Të presim ta shohim vendimin dhe vlerësimin e ekspertëve. Normalisht se do ta bëjmë publik qëndrimin tonë nëse ka ndonjë situatë që dallon nga ajo që pritet dhe nëse ka ndonjë ndryshim -tha Igor Janushev, sekretar i Përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së.

Aleanca për Shqiptarët beson se Kuvendi duhet të rikthehet dhe se periudha më e mirë për zgjedhje është vera.

Parlamenti duhet të kthehet dhe të funksionojë për shkak se Maqedonia, në fund të fundit, është demokraci parlamentare dhe baza e ndërtimit të institucioneve është parlamenti. Kur flasim për zgjedhje, Maqedonia është akoma demokraci e papjekur dhe nuk mund të bëjë zgjedhje pa prezencën në vend të faktorit ndërkombëtar ose të misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-së. Ne si ASH mendojmë se periudha më e mirë për të mbajtur zgjedhje do të jetë kur temperaturat në vend do të jetë më të larta dhe kjo periudhë është fundi i korrikut ose fillimi i gushtit -tha Ziadin Sela, kryetar i ASH-së.

Gjendja e jashtëzakonshme përfundon më 16 maj kurse Presidenti Stevo Pendarovski tha se nuk garanton që do të shpallë përsëri gjendje të jashtëzakonshme, e cila është e vetmja mundësi që i jep të drejtën Qeverisë të sjellë vendime me fuqi ligji.

Video:


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu