Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka rinisur gjykimi ndaj ish-shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi, i akuzuar për përfshirje në dëbimin e 6 shtetasve turq nga Kosova, në një rast të njohur si “Gylenistët”. Gashi u deklarua i pafajshëm.
“I pafajshëm”, u deklarua, Driton Gashi, i cili në cilësinë e shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), akuzohet se ishte angazhuar drejtpërdrejt në dëbimin e 6 shtetasve turq nga Kosova duke shkelur procedurat ligjore.
Ky rishtim i procesit ndodhi pas ndryshimit të përbërjes së trupit gjykues: anëtarët e mëparshëm Arben Hoti dhe Ngadhnjim Arrni janë zëvendësuar me Leon Përlaskën dhe Medie Bytyqin, ndërsa kryetare e trupit gjykues është Violeta Namani-Hajra.
Në seancën u konsiderua e lexuar aktakuza dhe u vendos që disa prova të administruara më parë të rivlerësohen.
Avokati i Gashit kërkoi që një dëshmitar, Shkelzen Sopjani, të thirret sërish për pyetje shtesë lidhur me provat e reja. Seanca vazhdoi e mbyllur për shkak të informatave sekrete.
Paraprakisht, më 19 korrik 2023, Gjykata Themelore e kishte shpallur Gashin fajtor dhe e kishte dënuar me 4 vite e 8 muaj burgim, ndërsa dy të akuzuarit tjerë, Valon Krasniqi dhe Rrahman Sylemani, ishin liruar.
Në dhjetor 2024, Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim vetëm për Driton Gashin, duke konfirmuar lirimin e dy të tjerëve.
Sipas aktakuzës, Gashi akuzohet se, si drejtues i AKI-së, ka tejkaluar kompetencat duke angazhuar agjencinë në deportimin e shtetasve turq, pa respektuar procedurat ligjore dhe pa njoftuar institucionet e larta të Kosovës. Prokuroria e ngarkon atë për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Dy të tjerët, Krasniqi dhe Sylejmani, akuzohen gjithashtu për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me dëbimin e shtetasve turq, duke shkelur të drejtat e tyre për qëndrim dhe punë në Kosovë.










