Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk ka përgjigje konkrete se pse paratë e ndihmës së shtetit përfundojnë te përmbaruesit, të dedikuar për kategori të caktuar të qytetarëve. Përkatësisht, bëhet fjalë për një numër të qytetarëve të cilët kanë pasur llogari të bllokuar apo borxhe dhe të njëjtit nuk do të kenë mundësi që ta shfrytëzojnë ndihmën e shtetit, pasi paratë ua ka tërhequr nga llogaria bankare përmbaruesi.
I pyetur sot nga gazetarët, zëdhënësi i Qeverisë, Dushko Arsovski, nuk ka dhënë një përgjigje konkrete se a do ta zgjidh Qeveria këtë problem. “Mund të themi se Qeveria ka bërë gjithçka që t’i largojë të gjitha procedurat administrative që kjo ndihmë të arrijë në rrethin sa më të gjerë të qytetarëve. Në lidhje me këtë pyetje Qeveria nuk ka diskutuar konkretisht. Nëse ka diçka të tillë në rend dite, edhe si ide edhe si vendim do ta ndajmë me publikun”, deklaroi Arsovksi.
Edhe pse insistimit të më shumë gazetarëve se pse Qeveria nuk e ka parashikuar këtë dhe nëse do të merret me këtë çështje, Arskovski vetëm përsëriti përgjigjen e njëjtë se kanë bërë gjithçka që të largojnë procedurat administrative dhe ndihma shtetërore prej 6000 denarë të përfshijë numër sa më të madh të qytetarëve.
Në numër i madh i qytetarëve kanë alarmuar nëpër rrjete sociale se nuk mund t’i tërheqin nga banka paratë e lëshuara nga Qeveria si pjesë e ndihmës shtetërore, pasi të njëjtat kanë përfunduar te përmbaruesi, për shkak se i kanë pasur të bllokuara llogaritë, apo për shkak të borxheve.









