Roberto Carlos mohon se është konvertuar në Islam: “Duhet të prisni”

Legjenda e futbollit brazilian, Roberto Carlos, ka reaguar ndaj lajmeve që qarkulluan me shpejtësi se ai është konvertuar në Islam. Ish-mbrojtësi i njohur i Real Madridit i ka mohuar këto pretendime, duke sqaruar se, ndonëse ka respekt të madh për Islamin dhe po mëson gjithnjë e më shumë rreth kësaj feje, ai ende nuk është konvertuar.

“Jo, ende nuk jam konvertuar, por po mësoj pak nga pak dhe di shumë për Islamin, për atë se çfarë do të thotë të jesh mysliman. Unë i përkas një feje tjetër dhe është folur shumë për këtë çështje, se jam mysliman. Megjithatë, kjo nuk është e vërtetë ende. Duhet të prisni. Nëse ndodh diçka, unë do të jap një intervistë dhe do ta them”, deklaroi Carlos.

Spekulimet për konvertimin e tij u shtuan edhe për shkak të bashkëshortes së tij, Suhaila Al-Tahiri, e cila është myslimane dhe ka folur publikisht për besimin e saj.

Ajo tha se dëshiron t’u tregojë njerëzve rreth saj se çfarë përfaqëson Islami dhe të ndajë me ta njohuritë për fenë e saj.

“Unë jam marokene dhe feja ime është Islami. Më pëlqen t’u tregoj dhe t’i mësoj njerëzit përreth meje për fenë time. Falë Zotit, jam myslimane dhe më pëlqen t’i tregoj grupit që është me mua se çfarë do të thotë feja jonë. Në botën ku jetojmë sot, me gjithë këto luftëra dhe probleme mes shteteve, unë u shpjegoj se Islami është një fe e mirë dhe se ne nuk jemi ashtu siç paraqitemi në rrjetet sociale”, tha ajo.

Suhaila shtoi se Roberto Carlos ka njohuri të konsiderueshme për Islamin, pasi gjatë karrierës së tij si futbollist dhe trajner ka jetuar dhe punuar në disa vende me shumicë myslimane.

Roberto Carlos, 53 vjeç, është një nga mbrojtësit më të njohur në historinë e futbollit. Gjatë karrierës si futbollist ka luajtur për Interin, Real Madridin, Fenerbahçen, Corinthians, Anzhin dhe Delhi, si dhe për disa klube në Brazil. Pas përfundimit të karrierës si futbollist, ai vijoi punën si trajner në Anzhi, Sivasspor, Akhisarspor dhe Delhi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu