Cristiano Ronaldo është hapur për të kaluarën e tij duke shkruar një letër për fëmijërinë dhe fillet e tija në futboll që është publikuar nga The Players’ Tribune.
“Babai im ishte ekonom në CF Andorinha, ai vazhdimisht më inkurajonte që të shkoja dhe të luaja për ekipin e të rinjve. E dija se kjo do ta bënte krenar, prandaj shkova, më pëlqeu dhe u përfshiva në klub dhe në ndjenjën e fitores”, ka treguar ai.
“Është e vërtetë se në atë kohë nuk kishim shumë para. Jeta në Madeira nuk ishte e lehtë asokohe, luaja me atlete të vjetra që mi jepte vëllai ose i huazoja nga kushërinjtë e mi. Kur je fëmijë, nuk të interesojnë paratë”, ka rrëfyer 32-vjeçari më tej.
Është e mahnitshme kur një futbollist që ka fituar thuajse çdo trofe më shumë se dy herë, vazhdon të mbetet i përkushtuar ndaj punës së madhe dhe kërkon vazhdimisht suksese të reja. Portugezi thotë se këtë veçori e ka pasur që nga fëmijëria shkruan Telegrafi .
“Pas 400 ndeshjesh me Real Madridin, triumfi është akoma ambicia ime më e madhe. Është gjithçka për mua dhe mendoj se kam lindur i këtillë, megjithëse ndjenja e fitores ka ndryshuar, sepse tash jam në një tjetër kapitull të jetës”, ka deklaruar futbollisti.










