Në Gjykatën e Prishtinës ka filluar seanca gjyqësore ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 2023.
Në seancën e sotme (18.02.2026) ka filluar dëshminë dëshmitari Goran Taneski. I njëjti dëshminë e tij është duke e dhënë përmes video-linkut nga Maqedonia e Veriut.
Në këtë rast, duke u gjykuar në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë, më 24.09.2023, janë: Dushan Maksimoviq, Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Toliq. Të tre gjenden në paraburgim që nga dita e sulmit terrorist.
Sipas PSRK-së, 45 persona duke përfshirë edhe tre të lartcekurit që janë në paraburgim akuzohen se më 24.09.2023 kanë kryer sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit, duke lënë të vrarë zyrtarin policor, Afrim Bunjaku.
Nga radhët e Prokurorisë Speciale prezent është prokurori Naim Abazi, dhe tre të akuzuarit me mbrojtësit e tyre.
Kujtojmë se në seancën e datës 16.01.2026 gjykimi për rastin “Banjska” ka filluar rishtazi gjykimi. Kjo pasi kryetari i trupit gjykues në këtë rast ka qenë Arben Hoti, mirëpo me avancimin e tij në Gjykatën e Apelit, lëndën për gjykim e ka marrë gjyqtari Ngadhnjim Arrni, i cili së fundi është bërë edhe kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës, në përbërje të Trupit Gjykues: Ngadhnjim Arrni (kryetar) Rrahman Beqiri dhe Donikë Shala-Abdyli (anëtarë).
Tre të akuzuarit në rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 2023, Dushan Maksimoviq, Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Toliq, edhe në shqyrtim kryesor më 17.04.2025 nuk e pranuan fajësinë, lidhur me veprat penale që u vihen në barrë.










