Rusia dhe SHBA-ja: A do të shkojë Kremlini përtej ndërhyrjes në zgjedhje?

Gjatë 15 viteve të kaluara Kremlini ka luajtur një lojë të pistë me politikanët dhe diplomatët, kryesisht ata të vendeve fqinje, por edhe me ata perëndimorë, të ngjashme me përrallën e Vëllezërve Grim “Lepuri dhe Iriqi”.

Në të është e njohur gara midis 2 kafshëve. Iriqi vrapon vetëm disa hapa, duke e ditur se në finish e prej gruaja e tij, që ngjan fiks si ai. Kur lepuri, i sigurt për fitoren, nis garën, gruaja e iriqit ngrihet dhe thërret “Unë jam tashmë në finish!”.

Lepuri nuk mund ta kapërdijë humbjen, e sfidon iriqin në 73 gara të tjera, dhe gjatë garës së 74, vdes nga lodhja. Që nga kthesa anti-perëndimore e Rusisë në vitin 2005, analistët qeveritarë dhe jo vetëm në të mbarë botën, janë marrë me diskutimin dhe parashikimin e ofensivës së ardhshme të Moskës.

E megjithatë, në shumicën e rasteve, “lepujt” e zgjuar të botës – politikanët, ekspertët, studiuesit, gazetarët etj, kanë dalë me përgjigje shumë ose pak të përshtatshme, “iriqët” rusë tashmë i kanë arritur qëllimet e tyre prej kohësh.

I tillë ishte rasti me pushtimin nga Rusia të Osetisë së Jugut dhe Abkazisë në Gjeorgji në vitin 2008, apo i “njerëzve të vegjël të veshur me jeshile”, që aneksuan Krimenë nga Ukraina në vitin 2014, hakerat që depërtuan në Bundestagun gjerman në vitin 2015, bombarduesit mbi Siri që nga viti 2015, luftëtarët kibernetikë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016, apo vrasësit “kimikë” në Salisbërit të Anglisë në vitin 2018.

Në mbarë botën, ne mund të gjejmë qindra analistë të ndjeshëm, që janë të aftë të japin komente të mprehta mbi këtë apo atë ofensivë të egër ruse. Por me gjithë përvojën e grumbulluar, njohuri të tilla fitohen zakonisht pasi ngjarja ka ndodhur.

Deri më tani, “ustallarët” e Kremlinit vazhdojnë t’i befasojnë politikë-bërësit perëndimorë dhe jo-perëndimorë dhe institutet e tyre kërkimore me përpjekje të reja, sulme asimetrike, metoda jo-ortodokse dhe një brutalitet tronditës.

Më shpesh sesa jo, imagjinata dhe pamëshirshmëria e rusëve janë vlerësuar mjaftueshëm, vetëm pasi Moska ka përfunduar me sukses një operacion të ri “të masave aktive” hibride apo ndërhyrje jo-konformiste. Aktualisht, shumë analistë të SHBA-së – qoftë në politikën kombëtare, administratën publike apo shkencat sociale – mund të jenë duke u përgatitur për luftën e ardhshme.

Ndërhyrja ruse në zgjedhje, dhe operacionet e tjera janë në mendjen e të gjithëve në mbarë SHBA-në. Por siç e mësoi me hidhërim Ukraina në vitin 2014, Kremlini luan butë vetëm për sa kohë që ai beson se ka një shans për të fituar.

Ai mbetet relativisht i moderuar për sa kohë që një humbje e mundshme – nga këndvështrimi i Moskës – do të ishte e pakëndshme në një nivel të moderuar. I tillë ishte rasti gjatë ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016.

Përvoja ukrainase gjatë 6 viteve të fundit, sugjeron një skenar shumë të zymtë. Në një moment gjatë Revolucionit të Euromaidanit në janar ose shkurtin e vitit 2014, Vladimir Putin e kuptoi se mund të humbiste kontrollin e tij ndaj Ukrainës, se njeriu i Moskës në Kiev, presidenti i atëhershëm, Viktor Janukoviç mund të dëbohej nga populli ukrainas.

Për pasojë, presidenti rus e ndryshoi në mënyrë drastike qasjen e tij. Medalja që Kremlini u dha ushtarëve anonimë rusë që morën pjesë në aneksimin e Krimesë, kishte datën 20 shkurt 2014, pra kur filloi operacioni për pushtimin e një pjese të Ukrainës. Atë ditë, presidenti Janukoviç ishte ende në pushtet dhe ndodhej në Kiev.

Arratia e tij nga kryeqyteti i Ukrainës një ditë më vonë, dhe dëbimi zyrtar nga parlamenti ukrainas më 22 shkurt, nuk ishte i parashikueshëm më 20 shkurt. Por Kremlini kishte kaluar tashmë nga lufta politike kundër Ukrainës, në përgatitjen e një lufte të vërtetë, diçka që deri atëherë ishte shumë e paimagjinueshme për shumicën e analistëve.

Diçka e ngjashme, mund të ndodhë sot me qasjen e Moskës ndaj SHBA-së. Sigurisht, trupat ruse nuk do të zbarkojnë në brigjet amerikane. Por kjo gjë mund të mos jetë e nevojshme. Mundësia e një konflikti civil të dhunshëm në Shtetet e Bashkuara, po diskutohet sot nga analistë seriozë, në sfondin e një polarizimit të madh politik, dhe shumë çështjeve me goxha ngarkesë emocionale brenda shoqërisë amerikane.

Ashtu si në sportin e preferuar të Putini, xhudo, ku ai ka një Rrip të Zi, një moment sado i vogël i çekuilibrimit të kundërshtarit, mund të përdoret në mënyrë produktive, dhe mund të jetë i mjaftueshëm për të shkaktuar rrëzimin e tij në tapet.

Shtetet e Bashkuara nuk do të mbërrijnë deri në një konflikt civil. Por mundësia për ta nxitur atë, nuk ka gjasa të shpërfillet nga specialistët e zellshëm të luftës hibride në Moskë. Dhe loja që do të luajnë “iriqët” rusë, mund të jetë e ndryshme nga e kaluara, por sërish mund të mos jetë plotësisht e kuptueshme për “lepujt” në SHBA.

Hilari Klinton ishte në vitin 2016 një kandidate presidenciale shumë e papëlqyer për Moskën. Megjithatë sot një kandidat demokrat kërcënon të investigojë seriozisht hakerimin rus në vitin 2016 të serverave të Partisë Demorkatike, dhe fushatës së egër kundër Klinton, një perspektivë kjo vërtet kërcënuese për Kremlinin.

Për më tepër, Xho Bajden ishte nën presidentin Barak Obama, përgjegjës për politikën amerikane ndaj Ukrainës, e njeh mirë këtë vend, ndaj dhe është veçanërisht i padëshirueshëm për Moskën. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, Moska mund të ketë pasur më shumë kontakte me Trumpin dhe shoqëruesit e tij, nga sa është në dijeni publiku amerikan.

Në një rast të tillë, Kremlinit nuk do t’i pëlqente një presidencë e Bajdenit, dhe as një zbulim i mundshëm i ndërhyrjeve të tij të mëparshme në SHBA. Për Moskën, rreziku këtë vit është shumë më i lartë, se sa në vitin 2016.

Nëse Trump nuk ka asnjë mundësi të besueshme për t’u zgjedhur për një mandat të dytë, thjesht ndërhyrja në zgjedhje nuk mund të jetë një prioritet për Rusinë. Moska mund të zbatojë plane më të mbrapshta, sesa thjesht të përpiqet ta ndihmojë Trumpin. Nëse Putini mendon se nuk mund ta parandalojë fitoren e Bajdenit, Kremlini nuk do ta humbasë shansin që ta heqë qafe SHBA-në si një aktore e rëndësishme ndërkombëtare.

Nga Pavlo Klimkin, Emerging Europe*


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu