Rusia godet Kievin me raketa për herë të parë që prej më shumë se një muaji

Rusia goditi me raketa Kievin, duke pretenduar se shkatërroi tanke dhe automjete të tjera të blinduara të dhuruara nga Evropa për Ukrainën. Që nga 28 prilli kryeqyteti i Ukrainës kishte rënë në qetësi, ndërsa presidenti rus Vladimir Putin të dielën paralajmëroi perëndimin se furnizimi me armë i Ukrainës do të zgjaste konfliktin. Ai tha se Moska do të godiste objektivat që nuk ishin goditur ende nëse Perëndimi do të do të vazhdonte me dërgesa të sistemeve me raketa.

Forcat ruse sulmuan me raketa kryeqytetin e Ukrainës. Që nga vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres në 28 prill në Kiev nuk ishin kryer sulme.

Sipas autoriteteve ukrainase raketat ranë në lagjet Darnytskyi dhe Dniprovskyi, në periferi të Kievit. Të paktën një person u shtrua në spital dhe fatmirësisht nuk ka viktima, tha kryebashkiaku Vitaly Klitschko.

Serhiy Leshchenko, një ndihmës i shefit të shtabit të Presidentit Volodomyr Zelenskiy, tha se raketat kishin si qëllim të godisnin infrastrukturën hekurudhore në kryeqytet. Nga ana tjetër ministria ruse e Mbrojtjes tha se sulmet me raketa nga distanca kishin shkatërruar tanket T-72 dhe automjetet e blinduara që i ishin dhënë Ukrainës nga vendet e Evropës Lindore.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu