Rusia i bën thirrje SHBA-së të rrisë përpjekjet për marrëveshjen bërthamore të Iranit

Lavrov theksoi se marrëveshja, e njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët i Veprimit (JCPOA) do të jetë vendimtare në garantimin për një Lindje të Mesme pa armë bërthamore.

Rusia i ka bërë thirrje administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, për të rritur përpjekjet për marrëveshjen bërthamore të Iranit.

Duke folur në Konferencën për Çarmatimin, ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov theksoi se marrëveshja, e njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët i Veprimit (JCPOA), do të jetë vendimtare në garantimin për një Lindje të Mesme pa armë bërthamore.

Lavrov bëri thirrje për “një qasje konstruktive” ndaj marrëveshjes, veçanërisht përderisa afrohet Konferenca e Rishikimit të Traktatit për ndalimin e prodhimit të armëve bërthamore.

“Ne u bëjmë thirrje të gjithëve, fillimisht administratës së re të SHBA-së, të rrisin përpjekjet në këto fusha të rëndësishme për komunitetin botëror”, tha Lavrov në forumin multilateral për të negociuar marrëveshjet e kontrollit të armëve dhe të çarmatimin.

Zbatimi i marrëveshjes JCPOA, e nënshkruar në vitin 2015, ka ngecur pasi SHBA më 8 maj të vitit 2018 u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja dhe rivendosi sanksione ndaj Iranit në fushën e eksporteve të naftës.

Një vit më vonë, presidenti iranian, Hassan Rouhani tha se Teherani gradualisht do të pezullojë disa nga detyrimet që dalin nga marrëveshja. Më 5 janar të vitit 2020, Irani njoftoi se programi bërthamor i tij nuk përballet me ndonjë kufizim operacional.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu