Rusia pengesë për paqen në botë, i vendos veto Traktatit për mospërhapjen e armëve bërthamore

Rusia ka bllokuar miratimin për marrëveshjen e përbashkët të Konferencës së Kombeve të Bashkuara në lidhje me çarmatimin bërthamor.

Traktati i Mospërhapjes për Armët Bërthamore, i cili rishikohet nga 191 vende çdo pesë vjet, synon të parandalojë përhapjen e armëve bërthamore.

Por Rusia e ka kundërshtuar këtë traktat, duke iu referuar “shqetësimit të madh” mbi aktivitetet ushtarake rreth centraleve bërthamore të Ukrainës, në veçanti në Zaporizhzhia. Pjesëmarrësit në rishikimin e fundit në 2015 gjithashtu nuk arritën një marrëveshje, shkruan BBC.

Takimi i vitit 2022, i cili duhej të ishte zhvilluar në vitin 2020, u vonua për shkak të pandemisë Covid-19.

Dështimi për të rënë dakord për një deklaratë të përbashkët pasoi një konferencë katër-javore në Nju Jork.

Lexo edhe: Rusët po torturojnë punonjësit e centralit bërthamor Zaporizhzhia që të mos flasin

Ministrja e Jashtme australiane Penny Wong tha se ishte “thellësisht e zhgënjyer” nga mungesa e marrëveshjes.

“Rusia pengoi përparimin duke refuzuar të bëjë kompromis për draftin e propozuar të pranuar nga të gjitha shtetet e tjera,” tha ajo.

Përfaqësuesja e SHBA-së, ambasadorja Bonnie Jenkins, tha se SHBA-ja “ndjen keqardhje të thellë për këtë rezultat, dhe aq më tepër për veprimet e Rusisë që na çuan këtu sot”.

Ambasadori i Kinës, ndërkohë, tha se pavarësisht mungesës së marrëveshjes, procesi ishte “një praktikë e rëndësishme e sigurisë së përbashkët dhe multilateralizmit të vërtetë”.

Nga ana e saj Organiozata Ndërkombëtare për Shfuqizimin e Armëve Bërthamore shprehu keqardhjen që “në një vit kur një shtet i armatosur me armë bërthamore pushtoi një shtet të armatosur jobërthamor, një takim i pothuajse të gjitha vendeve në botë dështoi për të ndërmarrë veprime për çarmatimin bërthamor”, ndërsa organizata me bazë në Uashington tha se konferenca përfaqësonte një “mundësi të humbur për të forcuar traktatin dhe sigurinë globale”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu