Rusia thyen rregullat e mobilizimit ushtarak

Një ditë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, shpalli mobilizimin e pjesshëm ushtarak për luftën e Kremlinit në Ukrainë, Viktor Dyachok, kirurg 59 vjeç, dhe Artyom Skutin, student 21 vjeç, morën ftesa për t’u paraqitur në detyrë.

Urdhri për mobilizim vlen vetëm për rezervistët me përvojë ushtarake dhe të dy burrat u tronditën prej ftesave.

Skutin do të duhej të bënte përjashtim nga urdhri, për shkak të statusit të tij si student. Ndërsa, Dyachok besonte se për shkak të moshës dhe shëndetit të dobët, nuk do të thirrej në detyrë. Ai ka kancer të lëkurës në fazën e parë dhe është i verbër në njërin sy.

Kur të dy ata shkuan në zyrat lokale të rekrutimit për të raportuar “gabimin”, autoritetet u konfirmuan se do të dërgohen në Ukrainë dhe i urdhëruan të paraqiten për trajnim të nesërmen – në të kundërtën, u thanë se do të përballen me ndjekje për vepër penale.

“Asnjë ekzaminues kompetent mjekësor nuk do ta miratonte babanë tim për shërbim ushtarak”, thotë vajza e Viktorit, Polina Dyachok, për kanalin Current Time të Radios Evropa e Lirë.

“Pasi u dërgua në stërvitje, atje ishte vetëm një komandant ushtarak dhe nuk iu dha asnjë shpjegim”, thotë ajo.

Në fund, edhe Skutin, edhe Dyachok u kthyen nga stërvitjet dhe u liruan nga detyrimi për shërbimin ushtarak. Por, kjo ndodhi pas fushatave të ndryshme që bënë vajza e Dyachokut dhe e dashura e Skutinit. Ato shkruan letra, morën ndihmë juridike nga shoqëria civile, takuan zyrtarë të rekrutimit dhe folën për mediat lokale.

Rastet e këtyre dy burrave nuk janë të izoluara. Ato dëshmojnë një proces kaotik të mobilizimit që po ndodh në Rusi. Njëherësh, nxisin edhe spekulime se Kremlini po synon të mobilizojë shumë më tepër se 300.000 ushtarë – sa ka deklaruar fillimisht ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu