Dhjetëra avionë luftarakë rusë kanë arritur në një bazë në rajonin ukrainas të Krimesë, e aneksuar nga Moska në 2014.
Agjencia e lajmeve “Reuters” ka cituar disa dëshmitarë, të cilët kanë parë avionët e tipeve Su-27 dhe Su-30 të kenë arritur sot në bazën ajrore Belbek.
Ky njoftim vjen në kohën e tensioneve ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë. Marrëdhëniet mes këtyre shteteve u përkeqësuan edhe më shumë pasi më 25 nëntor, Rusia kapi tri anije luftarake të Ukrainës dhe ekuipazhin e tyre në afërsi të Ngushticës Kërç në Detin e Zi.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov theksoi se Ukraina është duke përgatitur një “provokim” në këtë zonë para përfundimit të këtij viti. Kievi në anën tjetër ka akuzuar Moskën se po rrit prezencën e saj ushtarake në afërsi të kufirit mes dy shteteve.
Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko deklaroi se Rusia ka vendosur mbi 80 mijë trupa, 1400 sisteme të lancimit të raketave dhe artileri, 900 tanke, 2300 makina luftarake”dhe qindra avionë në këtë zonë.










