Sa e varur është Gjermania nga gazi rus

Gjermania e kishte zvarritur që nga pushtimi i Ukrainës, embargon e propozuar europiane ndaj energjisë ruse. Më 2 maj Christian Lindner, ministri i financave dhe Robert Habeck, ministri i ekonomisë, sinjalizuan se qeveria gjermane ishte e përgatitur të mbështeste idenë e BE-së për importet ruse të naftës.

Gjermania i dha mundësinë Komisionit Europian të bënte të ditur njoftimin, më 4 maj, për propozimin e një embargoje të tillë deri në fund të vitit, megjithëse të gjitha qeveritë e 27 anëtarëve duhej të binin dakord.

Megjithatë, për Gjermaninë, nafta paraqet një problem shumë më të vogël se gazi. Politikanët gjermanë thonë se një ndalim i papritur i importeve të gazit rus do të ishte i pamundur.

Por sa e varur nga energjia ruse është Gjermania?

Përveç burimeve të rinovueshme, i vetmi burim i brendshëm i energjisë në Gjermani është linjiti, një lloj qymyri që përbën rreth 9% të energjisë parësore (dmth., ai që vjen drejtpërdrejt nga burimet natyrore, si nafta ose dru zjarri, në vend të proceseve dytësore, si energjia elektrike).

Por shumica dërrmuese e lëndëve djegëse fosile janë të importuara, siç është uraniumi që furnizon tre centralet e tij bërthamore të mbetura. Nafta dhe gazi së bashku përbëjnë rreth 60% të energjisë primare dhe Rusia ka qenë prej kohësh furnizuesi më i madh i të dyjave.

Në prag të luftës në Ukrainë, ajo siguronte një të tretën e naftës për Gjermaninë, rreth gjysmën e importeve të qymyrit dhe më shumë se gjysmën e gazit.

Kjo varësi daton më shumë se gjysmë shekulli. Në vitet 1960, Gjermania Perëndimore kërkonte energji të lirë dhe ishte e përgatitur të furnizonte Bashkimin Sovjetik me tubacionet e nevojshme për të pompuar gazin.

Qeveritë e Gjermanisë Perëndimore, ndërkohë, ishin të prirura për të përmirësuar marrëdhëniet politike me sovjetikët. Më vonë ata zgjeruan lidhjet ekonomike nën marrëveshjen e Wandel durch Handel (ndryshimi përmes tregtisë), duke kulmuar me ndërtimin e Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2, tubacione gazi që lidhin drejtpërdrejt Gjermaninë me gazin rus nga Deti Baltik, duke anashkaluar Ukrainën.

Përpara luftës, Olaf Scholz, kancelari gjerman, në fakt e hodhi poshtë idenë e Nord Stream 2, i cili ende nuk kishte filluar funksionimin. Qymyri dhe nafta ruse tashmë po hiqen gradualisht nga përdorimi. Pjesa e importeve gjermane të naftës që vijnë nga Rusia kanë rënë nga 35% në 12% që nga fillimi i luftës.

Importet e qymyrit kanë rënë nga 50% në 8%. Më 26 prill, Habeck tha se të gjitha përgatitjet për t’i dhënë fund eksportit të naftës ruse në Gjermani duhet të bëhen brenda disa ditësh. Qeveria ka filluar gjithashtu të konfiskojë asetet energjetike ruse. Më 4 prill, rregullatori i Gjermanisë mori përgjegjësinë për një objekt të depozitimit të gazit në pronësi të një filiali të Gazprom.

Parlamentarët po përgatisin një ligj për të përfunduar marrëveshjen me rafinerinë kryesore të Rosneft në vend.

Por Gjermania mbetet shumë e varur nga gazi rus, pavarësisht nga një rënie nga 55% në 35% për shkak të luftës. Reduktimet e mëtejshme do të jenë të dhimbshme.

Problemi i parë është se Gjermania e merr të gjithë gazin e saj nëpërmjet tubacioneve dhe nuk ka ende asnjë terminal për të importuar gaz natyror të lëngshëm (LNG). Në mes të prillit, ministria e financave hoqi mënjanë 2.5 miliardë euro për të marrë me qira terminale që mund të jenë funksionale deri në dimër.

Gjithashtu është angazhuar të përshpejtojë ndërtimin e terminaleve të duhura, por këto do të duhen vite për tu ndërtuar. Deri atëherë, Gjermania duhet të importojë LNG përmes vendeve të tjera.

Së dyti, zinxhirët e furnizimit të industrisë gjermane janë të prekshme ndaj mungesës së gazit dhe çmimeve të larta të energjisë. Nëse furnizimet ruse do të ndërpriteshin, gazi do të duhej të racionalizohej deri në fund të dimrit, sipas një analize të gjashtë instituteve kryesore ekonomike.

Ata vlerësojnë se një embargo e plotë ndaj energjisë ruse do të ulte PBB-në me 2-6% (recesioni i Gjermanisë Covid shkaktoi një rënie prej 4.5%). Kështu, shumica e gjermanëve favorizojnë qasjen e qeverisë për të hequr gradualisht dorë nga gazi rus.

Ashtu si vendet e tjera në Europë, Gjermania nuk ka investuar mjaftueshëm në diversifikimin e furnizimeve të saj me gaz dhe naftë. Rezultati është varësia nga energjia ruse që e pengon atë të pranojë vendosjen e sanksioneve.

Udhëheqësit e saj mund të jenë dakord ndaj idesë së një embargoje ndaj naftës, por varësia e saj nga gazi do të zgjasë edhe për një kohë të gjatë.

The Economist


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu