Kryetari i Aleancës për shqiptarët Ziadin Sela bashkë me dy deputetët Ilire Dauti dhe Elmi Aziri dorëzuan iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për ta kontestuar Ligjin për Kundërvajtje i njohur si projekti Safe City. Sela tha se ligji ka shumë dilema të cilat është dashur të sqarohen para se të miratohet.
“Përpara kushtetutës qytetarët duhet të jenë të barabartë dhe si të tillë të gjithë qytetarët pa marrë parasysh a jetojnë në Kumanovë apo Shkup ose Tetovë duhet të jenë të barabartë të përfshihen në këto projekte edhe në Strumicë, Ohër por edhe Kërçovë, Kavadarc, Shtip dhe gjithandej”, tha Ziadin Sela, kryetar i ASH-së.
Sipas Selës kjo lloj ndarje të jep arsye të dyshosh që ka për qëllim zhvatjen e një kategorie të qytetarëve. Ai konteston edhe mosrespektimin e gjuhës shqipe.
“Nuk respektohet kushtetuta dhe ligji për përdorimin e gjuhëve. Pa marr parasysh se cili është qëndrimi politik i eksponentëve të veçantë politik nuk mundet që mos të respektohen ligjet që janë në fuqi”, tha Ziadin Sela, kryetar i ASH-së.
Mënyra e arritjes së dënimit përmes sms-porosisë deri te qytetari, sipas Selës, të kufizon mundësinë e ankesës.
“Ne me ligj jemi të obliguar, por jo vetëm ne, e gjithë bota e civilizuar jemi të obliguar që të kemi një adresë në të cilën do të na dërgohen edhe paditë për kundërvajtje, dënimet etj… por s’jemi të obliguar të mbajmë numra telefoni dhe adresa emaili”, shtoi Sela.
Aleanca për shqiptarët pret epilog sa më të shpejtë të kësaj iniciative.
Ndryshe të premten e javës së kaluar kuvendi miratoi Ligjin për Kundërvajtje, duke i hapur rrugë nisjes së sistemit “Safe City” nga 1 shkurti. Ligji parashikon përdorimin e mjeteve teknike për regjistrimin dhe sanksionimin e kundërvajtjeve, si tejkalimi i shpejtësisë, kalimi në dritë të kuqe dhe parkimi i parregullt.










