‘Safe City’ varet nga BDI, nuk jep shumicë të Badenterit?

Është e pasigurt nëse nga 1 shkurti do të fillojë të zbatohet sistemi për ndëshkimin e shoferëve përmes “Safe City”, ashtu siç e paralajmëroi ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, sepse nuk është siguruar shumica prej dy të tretash dhe shumica e Badenterit në Kuvend, të nevojshme për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Kundërvajtjet.

BDI opozitare, e udhëhequr nga Ali Ahmeti, nuk i mbështet ligjet që i propozon pushteti, për miratimin e të cilave kërkohet edhe shumica e përfaqësuesve të komuniteteve.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në brifingun e sotëm tha se ndërmjet grupeve parlamentare ende nuk ka marrëveshje për miratimin e ndryshimeve të Ligjit për Kundërvajtjet.

Nëse arrihet marrëveshje, ndryshimet ligjore do të futen menjëherë në seancë plenare për t’u votuar. Deri më tani, në koordinimet e grupeve parlamentare nuk ka pasur vërejtje lidhur me tekstin e ndryshimeve. Fakti që ky ligj nuk po mbështetet është çështje marrëveshjeje ndërmjet grupeve parlamentare – tha Gashi.

Me ndryshimet e Ligjit për Kundërvajtjet duhet të mundësohet që dënimi për kundërvajtjen e regjistruar përmes kamerave të “Safe City” t’i dërgohet shoferit përmes SMS-it ose postës elektronike.

“Dorëzimi i njoftimeve për kundërvajtjet e konstatuara nga një sistem i posaçëm elektronik bëhet duke dërguar njoftim përmes mesazhit tekst në telefonin mobil ose në adresën elektronike të cilat i ka paraqitur pronari i automjetit. Në njoftim do të dërgohet një link për shkarkimin e procesverbalit për kundërvajtjen e kryer në trafik, së bashku me urdhërpagesën kundërvajtëse. Nëse pronari i automjetit, përkatësisht personi përgjegjës në personin juridik, brenda 24 orëve nga dërgimi i njoftimit të parë nuk e hap njoftimin, do t’i dërgohet një njoftim i dytë me linkun për shkarkimin e procesverbalit me urdhërpagesën kundërvajtëse. Afati për shkarkimin e procesverbalit për kundërvajtjen e kryer në trafik me urdhërpagesë kundërvajtëse nga linku i dërguar është 8 ditë nga dita e pranimit të njoftimit. Pas skadimit të afatit prej 8 ditësh nga dërgimi i njoftimit të dytë për shkarkim nga linku, konsiderohet se dorëzimi është kryer rregullisht edhe pa u shkarkuar dokumenti. Dorëzimi mund të bëhet edhe përmes një aplikacioni digjital në përputhje me ligjin”, thuhet në ndryshimet e Ligjit për Kundërvajtjet.

Me këto ndryshime parashihet gjithashtu konfiskimi i përhershëm i automjetit për shoferët e dehur dhe të droguar, si dhe ndërprerja e vlefshmërisë së patentë-shoferit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu