Salah nuk ndalet me ndërton spital dhe shkollë në qytetin e lindjes (FOTO)

Pas një eksperience të parë, joekzaltuese në Premier Ligë me fanellën e Chelseat, Mohamed Salah gjeti më shumë fat në Itali, fillimisht në gjysmësezonin me Fiorentinën dhe më pas në dy vitet me Romën.

Në Serinë A, sulmuesi egjiptian tregoi dhunti të mëdha: shpejtësi e jashtëzakonshme, driblime dhe asiste, por përpara porte nuk arrinte të ishte vendimtar. Por, verën e shkuar erdhi kthesa e madhe: klubi verdhekuq vendosi ta shesë te Liverpuli për 42 milionë euro plus 8 bonuset, një marrëveshje që nxjerr fitues Liverpulin për sezonin e jashtëzakonshëm që 25-vjeçari po përjeton.

Sulmuesi u bë menjëherë titullar në skuadrën e Jyrgen Klopit dhe u shndërrua në bomberin e pakapshëm në aventurën e tij të dytë në ishull.

Nuk është rastësi që është i pari në garën për “Këpucën e Artë” me 30 gola, +1 nga Mesi dhe në kuotën e 40 golave sezonalë në të gjitha kompeticionet, pas Kristiano Ronaldos (41).

EGJIPT – Por, idhulli i tifozërisë së Liverpulit dhe atyre të kombëtares së vendit të tij, është edhe një idhull i popullit egjiptian. Salah është bërë protagonist i veprave të ndryshme të bamirësisë.

Muajt e shkuar, “Vodafone” vendosi të dhuronte 11 minuta telefonata falas jashtë vendit për abonentët e saj për çdo gol të sulmuesit me fanellën e “Reds”, po aq sa numri që ai mban mbi shpinë. Por, nuk përfundon këtu. Sepse në zgjedhjet e fundit presidenciale, ai mori 5 për qind të votave. Shumë votues vendosën të shtojnë edhe emrin e yllit të Liverpulit në listë dhe ta votonin.

ZEMRA E ARTË – “The Sun”, që ka shkuar me dy gazetarë në qytetin e tij të lindjes Nagrig, 100 km larg kryeqytetit Kajro, i ka bërë një reportazh dhe ka mbetur e mrekulluar nga veprat e shumta të bamirësisë që futbollisti ka bërë në jetën e tij. Aktualisht, sulmuesi është duke financuar ndërtimin e një spitali dhe një shkolle në qytetin ku ka lindur.

Salah ka blerë gjithashtu ambulancën e parë në atë zonë dhe paguan çdo muaj shpenzimet mjekësore për qindra persona që vuajnë çdo ditë dhe dhuron ushqime për familjet në nevojë.

3.500 paund të rrogës së tij javore prej 90 mijë paundësh shkojnë pikërisht për bamirësi. Një kampion që sot mund të kushtojë 200 milionë paund, por që nuk e ka harruar kurrë nga ka ardhur.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu