Scholzi e pranon: Evropianët kanë arsye për t’u shqetësuar

Qytetarët evropianë kanë arsye për t’u shqetësuar, pranoi kancelari gjerman Olaf Scholz të shtunën. “Perëndimi duhet të bëjë gjithçka në fuqinë e tij për të parandaluar një përshkallëzim midis Rusisë dhe NATO-s”, ka thënë Scholz, duke theksuar nevojën për të vazhduar furnizimin e Ukrainës me armë për të luftuar kundër Rusisë.

Duke folur në një konferencë të Partisë Socialdemokrate në qytetin jugor gjerman të Friedrichshafen, Scholz pranoi se shumë qytetarë evropianë janë “të frikësuar dhe kanë arsye për t’u ndier ashtu“. Duke theksuar rëndësinë e mbështetjes ushtarake për Ukrainën, ai vuri në dukje se vendet perëndimore duhet “të shqetësohen se nuk ka përshkallëzim që mund të çojë në një luftë midis Rusisë dhe NATO-s”.

Është e rëndësishme të veprohet me maturi dhe në të njëjtën kohë me vendosmëri”, shtoi ai.

Komentet e Scholzit vijnë pasi ai paralajmëroi muajin e kaluar kundër ndërmarrjes së “hapave të pamatur” në mes të konfliktit në Ukrainë.

Nuk duhet të ketë një konflikt të drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe NATO-s”, theksoi ai asokohe.

Me marrëdhëniet midis Perëndimit dhe Rusisë në një nivel të ulët pasi Moska nisi agresionin e saj kundër Ukrainës, frika e një konflikti të drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe NATO-s u nxit kohët e fundit nga një raketë që ra në një fshat polak pranë kufirit me Ukrainën.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu