Kosova po mbetet pa diplomatë nëpër vende të ndryshme të botës pasi Ministria e Punëve te Jashtme dhe institucionet e Kosovës nuk kanë emëruar ende asnjë ambasador në 12 vendet ku kanë vendosur t’i shkarkojnë ata që ishin.
Në maj të këtij viti, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla mori vendim për shkarkimin e 12 ambasadorëve të emëruar politik, kthimi i të cilëve tha se do të bëhet më 30 gusht, çka sipas saj e pason dërgimi i diplomatëve të rinj.
“Ambasadorët janë shkarkuar apo liruar nga detyra por kthimi i tyre në Kosovë është data 30 gusht, pra kthimi i ambasadorit aktual dhe dërgimi i ambasadorit të ri do të përfshijnë fazën e dorëzimit të detyrës dhe do të përfshijë fazën e kalimit të detyrës nga njëri në tjetri… Pas datës 30 gusht është ambasadori i ri aty”, kishte deklaruar Gërvalla.
Por, ambasada e Kosovës në Australi sot është mbyllur me çelës. Hajdin Abazi, tashmë ish-ambasador në Australi ka bërë të ditur nëpërmjet një postimi në Facebook se sot e ka mbyllur me çelës ambasadën atje dhe se ka kërkuar nga Ministria e Jashtme instruksione si të veprojë por këta të fundit nuk janë përgjigjur.
“Ç’është e vërteta, kam kërkuar instruksione se si të veprojë nga MPJD, por askush prej ministres, kabinetit të saj e deri te sekretarja, nuk më kanë kthyer as email”, ka shkruar Abazi në Facebook.
Afati i dhënë (30 gusht) nga ministrja Schwarz për dërgimin e ambasadorëve nuk është afat ligjor, por lënia e ambasadave bosh do të ndikojë në imazhin e Kosovës dhe në marrëdhëniet bilaterale të Kosovës me vendet e tjera.
Ditë më parë, në një prononcim për Kosova Press nga Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës kanë thënë se nuk kanë marrë propozime për ambasadorë dhe se Kosova rrezikon të mbetet pa diplomatë në 80 të shteteve nga 31 gushti.
“Në komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë ende nuk ka ardh asnjë propozim për Ambasador. Tani kur e tërë bota është duke u përballë me valën e re të pandemisë e me probleme të shumta Ministrja e sheh më të rëndësishme të rrezitet në plazh e të mos merret me shtetin e vet i cili në më shumë se 80% të shteteve më datë 31 gusht do të mbesë pa ambasadorë”, thotë Musliu-Shoshi e PDK’së.
Edhe deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, që është pjesë e Komisionit për Punë të Jashtme, pati deklaruar ditë më parë se qeveria po e neglizhon çështjen e emërimit të ambasadorëve, çka sipas saj mund të dëmtojë shtetin në arenën ndërkombëtare.
“Ne në komision nuk e kemi ende asnjë emër dhe siç e dini tashmë Kuvendi veç është në pushim veror dhe ne nuk do të kthehemi deri javën e tretë të shatorit Kuvendi veç është në pushim dhe kjo çështje është tepër e neglizhuar. Nëse nuk kanë pasur emra për akreditim, nuk është dashur të shkarkohen këta ambasadorë të cilët kanë pasur afat kohor që të qëndrojnë ende ambasadorë deri në gjetjen e ambasadorëve të rinj dhe jo të gjitha këto vende tani të mbetën vakant pa ambasadorë… Ne kemi pasur shqetësim që disa qendra të mëdha kanë qenë pa ambasadorë, dhe tani atyre vendeve u janë shtuar edhe 13 vende të tjera dhe kjo në arenën ndërkombëtare Kosovën ep araqet si jo serioze sepse ambasadori është që përcjellë politikat e vendit me vendet e akredituara, dhe kjo po dëmton subjektivitetin në arenën ndërkombëtare.”, ka thënë Kadriaj.
Nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thonë se afati i 30 gushtit mbetët vetëm afat i propozuar nga ministrja Gërvalla dhe nuk parashihet me ligj. Megjithatë, në aspektin e marrëdhënieve bilaterale me shtetet mike, Kosova mund të dëmtohet me veprime të tilla, thotë Lirika Agusholli.
“Nga ligji nuk mund të themi se jemi të vonuar, për nga marrëdhëniet bilaterale me shtetet në të cilat kemi ambasadorë që nuk janë aty apo vetëm ushtrues detyre, mund të themi se mund t’i dëmtojmë pak marrëdhëniet por nga ana ligjore nuk ka ndonjë afat kohor që e detyron Ministrinë e Punëve të Jashtme që ta bëjë këtë. E vetmja arsye është dëmtimi i marrëdhënieve bilaterale në mes të shteteve që Kosova ka vendosur marrëdhënie diplomatike. Është mirë që sa më shpejtë të bëhet kjo vendosje e ambasadorëve në këto shtete”, thotë ajo.
Ndërkohë që, deri më sot ende nuk dihet nëse MPJD ka propozuar ndonjë ambasadorë, por afati i përmendur nga Schwarz, është shkelur.
Procedurat për emërimin e ambasadorëve të rinj parashohin që ministrja e Jashtme të dërgojë për miratim në qeveri propozimet të cilat pastaj i përcjellën Kuvendit të Kosovës, komisioni për Punë të Jashtme e bënë intervistimin dhe përgatit raport për secilin prej tyre, të cilën e dërgon në Presidencë. Emërimi i ambasadorëve bëhet me dekretin e presidentit të vendit.









