S’duan të hyjnë në Qeveri, por duan figura të reja. Dalja në terren e “Grupit të zjarrit” dhe “heshtja” e Grubit me këngë

U mblodhën jashtë, ndërsa në prapavijë i shoqëronte melodi me motive patriotike. Kështu nga Studeniçani, të pakënaqurit e BDI-së me punën e Qeverisë, nisën takimet me degët e partisë, për siç thonë, të sqarohet në hollësi analiza e punës së ekzekutivit për 2 vitet e fundit.

Kur u ulën, ndër të parat gjëra që u pa se po i intereson Musa Xhaferit, ishte se cilat media kishin shkuar për t’i ndjekur.

Xhaferi: Kush janë këto mediumet?

Bexheti: Alsati dhe 21-shi.

E kur doli të flasë para të pranishmëve, akuzoi mediat se e kanë shpikur emrin “grupi i zjarrit” për ta.

“ …ka zjarre këndej, ka zjarre andej. Ato janë nofka që mediumet i vendosin”, tha Musa Xhaferi, kryetar i Këshillit Mbikqyrës BDI.

E pastaj vetë i përmendi përçarjet në BDI, gjë për të cilën edhe ngriti alarmin!

“Ne kemi hapësirë Aleancën për Shqiptarët ta integrojmë në Qeveri, ta mobilizojmë, a faktikisht nuk jemi të vetëdijshëm që partia jonë është duke u përçarë, duke u krijuar një hendek në mes anëtarëve të kryesisë, në mes të degëve, në mes të komunave. Unë mendoj se është koha alarmante që ne duhet të vetëdijesohemi dhe duhet të mobilizohemi që të trokasim te dyert e BDI-së, që këtë gjendje nuk duhet ta lejojmë më andej, por duhet të ulemi të gjejmë kompromiset e duhura për ta ruajtur BDI-në”, tha Xhaferi.

Sekretari organizativ i BDI-së, Blerim Bexheti e rithekson se nuk po e synojnë hyrjen e tyre në Qeveri.

“Nuk jemi të interesuar të jemi pjesë e ekzekutivit. Vetëm kërkojmë që të respektohet meritokracia, të respektohet baza dhe jo të bëhet pjesë ekskluzive vendimmarrja e Artan Grubit dhe klanit të tij”
, tha Blerim Bexheti, sekretar organizatib i BDI-së.

Po nga ana tjetër, nënkryetari Izet Mexhiti, është i qartë se bashkëpartiakët e tij që janë në Qeveri duhet të zëvendësohen me figura të reja.

“Ky ekzekutiv ka ardhur pa vota të qytetarit, ka ardhur pa votat e Këshillit të Përgjithshëm të partisë dhe ajo që është më e rëndësishmja, nuk ka realizim, as në infrastrukturë, as në përfaqësim adekuat, as në gjuhën shqipe, as në decentralizim dhe asnjë segment tjetër. I plotësojnë të gjitha kriteret për të shkuar dhe për të ardhur djem dhe vajza të reja, që janë të përgatitur, që janë të popullit, të qytetarit dhe që i përveshin krahët për të punuar në interes të qytetarit shqiptar…”, tha Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së.

Ndonëse kanë kritika për ministrat dhe zëvendëskryeministrin që vjen nga partia e tyre, asnjëri prej këtij grupi të pakënaqur integrist nuk thotë ndonjë kritikë për Ali Ahmetin. Madje Mexhiti tha se kryetari është i informuar dhe se ka qenë edhe i ftuar në këtë takim, por me sa u pa, nuk shkoi.

G: -A është i informuar Ali Ahmeti për këto takime?

Mexhiti: -Po.

G: -A e keni ftuar në takim?

Mexhiti: -Po.

G: -Çfarë dëshironi të arrini me këto takime me qytetarët?

Mexhiti: -Ta demokratizojmë edhe më shumë BDI-në.

Nga pjesa tjetër e BDI-së heshtje. Asnjë reagim me shkrim a deklaratë. Forma e vetme që mund të konsiderohet si reagim pas shkuarjes së “grupit të zjarrit” mbrëmë në Studeniçan është videoja që zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi e postoi në profilin e tij në Facebook, ku kreu i partisë Ali Ahmeti këndon këngën e Keq Hysenit.

“…të hupi rraja, të hupi fara,
Qysh i dole t’i Keqës përpara
Tuk o se i dole Keqës përpara”


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu