Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, i cili refuzoi të pranojë humbjen e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale, do të vizitojë disa nga aleatët e Uashingtonit në Evropë dhe Lindjen e Mesme.
Pompeo do të udhëtojë nga Uashingtoni të Premten për në Francë, përpara se të drejtohet në Turqi, më pas në Gjeorgji, Izrael, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar. Në këtë kontekst, shprehen shqetësime midis diplomatëve në SHBA për atë që Sekretari i Shtetit mund t’u thotë bashkëbiseduesve të tyre, nga vendet e tjera, për situatën e krijuar pas zgjedhjeve në SHBA.
Ndër temat që do të diskutojë, ai theksoi në një konferencë shtypi, se do të jenë “përpjekjet historike” të administratës Trump “për të promovuar paqen dhe bashkëpunimin në të gjithë Lindjen e Mesme”.
Por ky turne rrezikon të shndërrohet në një divergjencë të madhe diplomatike, pasi shumica e vendeve ku pritet të shkojë Pompeo nuk pritën shumë përpara se të uronin kandidatin demokrat Joe Biden për fitoren e tij presidenciale më 3 nëntor.
Në Paris, Emmanuel Macron e përgëzoi Biden të Shtunën sapo rrjetet kryesore amerikane e shpallën atë fitues dhe presidenti francez foli me të për herë të parë sot. E njëjta gjë për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe udhëheqjen e Mbretërisë së Arabisë Saudite.
Në mënyrë të ngjashme, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili ka pritur deri më sot, por që gjithashtu i dërgoi një mesazh urimi Joe Biden duke kërkuar “forcimin” e marrëdhënieve dypalëshe, ndërsa falënderoi Donald Trump për “miqësinë e tij të ngrohtë”.