Digjitalizimi i sektorit energjetik në Maqedoninë e Veriut pritet t’u japë fund dilemave të qytetarëve nëse faturat e rrymës janë reale apo të llogaritura në mënyrë të përafërt.
Sipas Apostollço Ramovit, udhëheqës sektori në Komisionin Rregullator për Energji (RKE), hapi i radhës është vendosja e matësve inteligjentë (smart meters), të cilët do të mund të ndiqen në kohë reale përmes telefonit mobil.
Ramovi theksoi se analizat kanë treguar se deri në vitin 2024 asnjë kompani energjetike nuk kishte zbatuar standarde të plota të sigurisë kibernetike. Disa kompani kishin vetëm rregulla të brendshme, por kjo nuk ishte e mjaftueshme për mbrojtje serioze nga sulmet kibernetike.
Aktualisht dy kompani energjetike kanë zbatuar standardin ndërkombëtar ISO për siguri informative, ndërsa 3 kompani të tjera janë në fazën përfundimtare të zbatimit
Sipas Ramovit,digjitalizimi do të vazhdojë, ndërsa prioriteti i radhës është vendosja e matësve inteligjentë.
“Ligji tashmë është në fuqi. Operatorët e transmetimit dhe shpërndarjes duhet të bëjnë analiza për futjen e sistemeve të matjes inteligjente. Qëllimi është që çdo qytetar, përmes telefonit ose online, të shohë saktësisht sa energji shpenzon. Kjo do ta rrisë besimin dhe do të eliminojë dyshimet për faturat,” tha Ramovi./INA/










