Lideri i Aleancës për Shqiptarët sot në konferencë për media theksoi se e përshëndesin Marrëveshjen me Greqinë, por nuk mund ta pranojnë faktin e anashkalimit të gjuhës shqipe dhe imponimi i shqiptarëve për t’u deklaruar si maqedonas në marrëveshje.
“E kemi përshëndetur Marrëveshjen me Greqinë, por kemi shprehur edhe shqetësime. Shqetësimet tona kanë të bëjnë me dy çështje, me tendencat për t’iu imponuar shqiptarëve në dokumentet personale identiteti ose nacionaliteti në zgjidhjen që është bërë nëpërmjet marrëveshjes, respektivisht, maqedonas/qytetar të Republikës së Maqedonisë Veriore dhe anashkalimin e futjes në marrëveshje si gjuhë zyrtare edhe të gjuhës shqipe, aq më tepër tani që është votuar dy herë ligji i gjuhës shqipe”, tha Sela.
Ai në konferencë gjithashtu tha se referendumi nuk është i nevojshëm sepse i njëjti është ratifikuar në Kuvend, si dhe në kuadër të ndryshimeve kushtetuese thotë se do të ndërhyjnë në pjesën e përdorimit të gjuhëve.