Aleanca për Shqiptarët është opozita reale e shqiptarëve dhe ajo duhet të ishte pjesë e takimit të liderëve por edhe duhet të ketë anëtarin e saj në KSHZ. Kështu ka deklaruar kryetari i Aleancës për shqiptarët Ziadin Sela në konferencën e sotme për Mediat. Sipas Selës, anashkalimi i ASH-së në këto procese është tendencë e Qeverisë për uzurpimin e hapësirës së shqiptarëve të papërfaqësuar në Qeveri.
Ziadin Sela, ASH
“Natyrisht që i ndjekim me shqetësim edhe tendencat për t’u anashkaluar opozita reale shqiptare këtu në Maqedoni dhe opozita reale në Maqedoni për Aleancën për shqiptarët janë qytetarët e papërfaqësuar në Qeveri dhe që përfaqësohen nëpërmjet Aleancës për Shqiptarët dhe ky është rezultat edhe i zgjedhjeve të fundit por edhe i gjithë anketave të cilat bëhen në opinion. Këto janë tendenca të ulëta të Qeverisë për të uzurpuar hapësirën e opozitës”.
Sela po ashtu tha se Aleanca për Shqiptarët gjatë hapjes së ndryshimeve Kushtetuese do të propozojë që shqiptarët të bëhen të barabartë me qytetarët tjerë në Maqedoni dhe që gjuha shqipe të jetë zyrtare.
Ziadin Sela, ASH
“Duhet njëherë e përgjithmonë qytetarët e Republikës së Maqedonisë të ndjehen të barabartë në Preambulë dhe jo njëri popull të ndihet më i privilegjuar sesa popujt tjerë të cilët janë të paraparë në preambulën e Maqedonisë. Nga po i njëjti princip për të mos u ndjerë i ofenduar asnjë popull që jeton këtu në Republikën Maqedodnisë, Aleanca për shqiptarët do të ndërhyjë me amendament në pjesën ku rregullohet përdorimi i gjuhës. Do të hiqet definicioni ‘gjuha që e flasin mbi 20 për qind e popullatës dhe që është ndryshe nga gjuha maqedonase’ dhe do të insistojmë që gjuha shqipe të rregullohet me Kushtetutë.
Sela po ashtu deklaroi se e përkrah idenë që të ketë Qeveri teknike 100 ditë para zgjedhjeve që do të mbahen. Lidhur me Ligjin për financimin e partive politike ai nënvizoi se do t’i bëjë partitë politike më autonome dhe jo të afërta me biznesin, por më afër me qytetarin.