Aleanca për Shqiptarët konsideron se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja. Në dy pronocime të ndara për TV 21 dhe TV Telma, Ziadin Sela ka përsëritur se koalicioni i udhëhequr nga ai nuk do të pranojë të mbahen zgjedhje vetëm sepse kjo u konvenon disa politikanëve maqedonas të cilët mundohen të shpëtojnë kokën e vet.
Sela thotë se u bë mirë që Gruevski nuk siguroi shumicë parlamentare, pasi që në fushatë bëri thirrje për pamundësim të të drejtave për shqiptarët, ndërkaq konsideron se Ivanovi e ka shkelur vazhdimisht Kushtetutën sepse është nën urdhrat e Gruevskit.
Në lidhje me mundësinë e një qeverie me LSDM-në, Sela thotë se duhet të votohet ligji për gjuhën shqipe, të ndahet buxheti, të vazhdohet PSP-ja, por të ketë mundësi edhe për një Gjykatë Speciale.