Sela zbardh se çfarë u diskutua në takimin me Ramën

Pas takimit të liderëve të partive politike shqiptare në Maqedoni me kryeministrin Edi Rama, Zijadin Sela, njëri prej të pranishmëve në tryezë ka folur në studion e Ora News mbi çfarë ishte diskutuar në vija të përgjithshme.

Sela tha se ky është momenti që subjektet shqiptare në Maqedoni të bashkohen për të zgjidhur kërkesat e shqiptarëve siç është zyrtarizimi i Gjuhës Shqipe, decentralizimi i pushtetit vendor dhe ndarja e barabartë e fondeve.

Intervista:

Sela: Janë takime të rregullta që duhet të ndodhin. Mendoj se partitë politike shqiptare duhet të jenë të kombinuara. Dakord! Do të ishte e udhës që të gjenim gjuhën e përbashkët. Për sa i përket mua, nuk ka asnjë problem që të zhvilloj takime në Maqedoni, po siç duhet është e vështirë.

Fatkeqësisht po dhe unë po jap kontributin tim dhe në këtë situatë të bashkohemi për hir të atyre që përfaqësojmë. Fatkeqësisht rezultoi që dy subjekte nuk morën pjesë. Po vjen koha për një politikbërje të re që të bashkëveprojmë politikat tona.

-Çfarë prodhoi takimi me kryeministrin Rama dhe a pati ndonjë përfarim të qëndrimeve?

Sela: Unë parapëlqej që atyre kërkesave t’u themi kushtet tashmë. Ne kemi kërkuar dhe realisht kështu është edhe logjika e demokracisë që me kërkesa t’i parashtrojmë popullit që të legjitimojë platformat tona politike. Prej momentit që marrim legjitimitetin, këto kërkesa nuk janë kërkesa që parashtrohen për t’i kërkuar lëmoshë ndonjë subjekti maqedonas, por janë kushte që duhet t’i vendosim atij subjekti maqedonas që bën shumicën qeverisëse. Janë disa kushte që kemi dhe nuk janë risi dhe themi se ka ardhur koha që këto kushte të realizohen tashmë.

Faktori vendosës këtë radhë janë subjektet shqiptare. Këto 20 deputetë të partive shqiptare që jenë kusht për secilën parti maqedonase për zyrtarizimin e Gjuhës Shqipe, duke ndarë buxhetin me prerje lokale, diku përfaqësish 50% e TVSh-së t’i mbesë pushtetit lokal, Prokuroria Speciale të shndërrohet në kategori Kushtetuese, po ashtu themelimin e Gjykatës Speciale, zgjidhjen e të gjitha procese të montuara politike, zhdëmtimi i tyre dhe në të njëjtën kohë edhe dënimi i përgjegjësve.

-Qeverisja me Zaev është kusht?

Sela: Jo! Nuk është. Ne nuk do të kishim dashur të bëjmë qeverisje me njerëz, të cilën fushatën e kanë të mbuluar me tipin: Nuk do të lejoj kurrë që Gjuha Shqipe të bëhet zyrtare. VMRO ka marrë 51 deputetë vetëm me këtë.

Nga ana tjetër nuk duhet t’i japim mbështetje Zaevit pa e kushtëzuar. Fillimisht të votohet ligji për gjuhën dhe pastaj të kërkojmë që të bëhet shumica për të qeverisur.

Sa e mundur është që të bashkoni votat?

Sela: I vetmi qëllim që kam diskutuar me BDI-në kanë qenë këto qëndrime për çështje që duhet t’i zgjidhim të gjithë si shqiptarë. Janë diskutuar në takimin që kemi pasur. I vetmi shkak që nuk kemi dalë me qëndrim me shkrim është se duhet t’i japim kohë edhe partive Partia Demokratike Shqiptare dhe Lëvizja Besa. Në këtë proces nuk do të amnistohet askush.

Drejtësia është e tillë kur vlen për gjithsecilit dhe kjo duhet bërë që prej kryeministrit dhe deri tek qytetari i thjeshtë. Në qoftë se dikush ka shkelur ligjin do të duhet të përballet me bamat e tij.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu