Şentop: Shpresojmë që Mali i Zi sa më shpejt të bëhet anëtar i plotë i BE-së

Kryetari i Kuvendit të Madh Kombëtar të Republikës së Turqisë (TBMM), Mustafa Şentop shprehu dëshirën që vendi mik dhe aleati i tyre, Mali i Zi të bëhet anëtar i plotë i Bashkimit Evropian (BE) sa më shpejt të jetë e mundur.

Şentop pas takimit të tij me kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Aleksa Beçiç zhvilloi një konferencë të përbashkët për media.

Ai tha se Malin e Zi e viziton me rastin e ftesës së homologut të tij. “Me zotëri kryetarin, sot qoftë në takimin kokë me kokë, qoftë edhe në takimin me delegacionet, vlerësuam tërësisht bashkëpunimin tonë ndërparlamentar, marrëdhëniet dypalëshe midis Turqisë dhe Malit të Zi si dhe zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare. Shkëmbyem mendime”, u shpreh ai.

Şentop nënvizoi se marrëdhëniet midis Turqisë dhe Malit të Zi, të cilët ndajnë një kulturë dhe histori të përbashkët dhe kanë lidhje të forta njerëzore, janë në një nivel të shkëlqyer dhe po përjetojnë periudhën më të mirë të historisë së tyre.

Mali i Zi, i cili jep një kontribut të vlefshëm strategjik për paqen dhe stabilitetin në rajon është pjesë shumë e rëndësishme e Ballkanit dhe Evropës. Mali i Zi është një vend shembullor në rajon për sa i përket kulturës së të jetuarit së bashku. Dëshira jonë e sinqertë është ruajtja e këtij uniteti dhe integriteti të admirueshëm, harmonisë, qetësisë dhe paqes, si dhe vëllezërit tanë boshnjakë dhe shqiptarë, si elementë themelues të këtij vendi të bukur dhe model, të jetojnë në mirëqenie dhe lumturi së bashku me të gjithë popullin malazez”, tha Şentop duke shtuar:

“Dëshira, shpresa jonë është që miku dhe aleati ynë Mali i Zi të bëhet anëtar i plotë i Bashkimit Evropian sa më shpejt të jetë e mundur. Ne jemi duke shprehur të gjitha llojet e mbështetjes në bazë ndërkombëtare lidhur me këtë“, theksoi kryeparlamentari turk.

Ai ndër të tjera tha se me homologun e tij kanë nënshkruar Protokoll Bashkëpunimi mes TBMM-së dhe Parlamentit të Malit të Zi. “Në fakt, tashmë kemi bashkëpunim, por kemi përgatitur një protokoll për të forcuar infrastrukturën e kësaj”, tha ai duke potencuar që protokolli të jetë i dobishëm për të dyja vendet.

Şentop e ftoi Beçiç që ta vizitojë së shpejti Turqinë. Mali i Zi dhe Turqia ndajnë histori dhe vlera të përbashkëta.

Kryeparlamentari malazez, Beçiç shprehu kënaqësinë dhe nderin për pritjen e Şentop-it. “Në takim ramë dakord se sa më shumë takime që kemi zhvilluar gjatë këtij viti, kemi shkruar faqet më të bukura të historisë sonë të gjatë dhe të pasur të përbashkët dhe se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në nivelin më të lartë historik”, tha Beçiç.

Beçiç tha se protokolli që kanë nënshkruar ka rëndësi për marrëdhëniet e fuqishme mes dy vendeve dhe bashkëpunimin më të madh mes parlamenteve. Ai shprehu kënaqësinë që Mali i Zi dhe Turqia ndajnë histori dhe vlera të përbashkëta dhe se të dy vendet janë aleatë të NATO-s.

Ai gjithashtu tha se diaspora malazeze në Turqi luan rol të urës së fuqishme në bashkëpunimin mes dy vendeve, duke shtuar se Turkish Airlines luan rol të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit mes Turqisë dhe Malit të Zi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu