Serbët mbrojnë shqiptarin nga malazezët, partia pro-Beograd do mbështesë Abazoviç nëse përballet me votëbesim

Qeveria e Dritan Abazoviç miratoi të ashtuquajturën Marrëveshja Themelore me Kishën Ortodokse Serbe çka sjell edhe frikën për rrëzimin e tij nga posti i kryeministrit.

Në seancën e së premtes kanë marrë pjesë 18 anëtarë të qeverisë nga 21 që duhet të ishin të pranishëm.

5 ministra kanë refuzuar ta miratojnë Marrëveshjen me Kishën Serbe.

Nga partia Socialdemokrate e cila është në koalicionin qeverisës thanë se do të kryenin një mocion mosbesimi ndaj shqiptaro-malazezit me qëllim rrëzimin e tij nga qeveria.

Edhe partia më e madhe në vend, e cila udhëhiqet nga presidenti Millo Gjukanoviç thanë se po ndërprisnin mbështetjen ndaj qeverisë e cila erdhi në pushtet me votat e kësaj force politike në 28 prill.

Sipas Kushtetutës së Malit të Zi, nismën për rrëzimin e qeverisë mund ta ndërmarrin partitë që janë në koalicionin qeveritar, 25 deputetë ose presidenti i vendit.

Duke marrë parasysh 29 ligjvënësit që partia e Gjukanoviç ka në Parlament përmbush të tria rastet kur mund të kërkohet një mocion mosbesimi ndaj Dritan Abazoviç.

Por megjithatë, shqiptaro-malazezi ndoshta nuk i ka bërë edhe aq keq llogaritë.

Partia pro-serbe Fronti Demokratik e ka mbështetur marrëveshjen themelore me Kishën Ortodokse të Beogradit dhe siç kanë arritur të mësojnë mediet vendase kjo forcë politike është gati të votojë pro Abazoviçit nëse ai përballet me mocion mosbesimi dhe do të ketë kundër DPS e Gjukanoviçit.

Marrëveshja Themelore që Abazoviç kërkon të nënshkruajë me kryepeshkopin e Beogradit dhe gjithë Serbisë, patriarkun Porfirije është parë si një tradhti ndaj interesave shtetërore të Malit të Zi, ndërsa kisha në këtë shtet kërkon prej vitesh pavarësimin nga Kisha Serbe.

Sipas marrëveshjes, Podgorica do të duhet ta njohë Kishën Ortodokse Serbe në Mal të Zi si gjashtë shekuj më të hershme se sa ajo serbe, çka malazezët e kanë quajtur si humbje e identitetit të kishës vendase, në një kohë kur ortodoksët në këtë shtet kërkojnë të pavarësohen nga Selia e Beogradit.

Marrëveshjen themelore e kanë kundërshtuar edhe ambasadorët e BE-së për shkak se firmosja e saj mund të çonte në rrëzimin e qeverisë së Abazoviç.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu