Petar Petkoviç, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, njoftoi ndalimin e procesit të normalizimit me Kosovën pas arrestimit të zëvendësit të tij, Igor Popoviq, në Kosovë, transmeton Anadolu.
Petkoviq lëshoi një deklaratë me shkrim në lidhje me arrestimin e Popoviqit, zëvendësdrejtor i Zyrës për Kosovën për shkak të deklaratave kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Petkoviq pretendoi se Qeveria e Kosovës po abuzonn.
“Ne po e ndalojmë procesin e normalizimit me Kosovën derisa Popoviq të lirohet”, tha ai.
Duke përshkallëzuar më tej akuzat e tij, Petkoviq pretendoi se Popoviq është “rrëmbyer” dhe mohoi çdo shkelje në deklaratat mbi UÇK-në.
Petkoviq deklaroi se ai gjithashtu ka informuar të gjithë përfaqësuesit përkatës të Bashkimit Evropian (BE) për ndalimin e procesit të dialogut me Kosovën dhe pohoi se po bëhet përpjekje për të poshtëruar serbët.
Popoviq u ndalua më 18 korrik në Kosovë, pasi, sipas autoriteteve në Kosovë, gjatë një fjalimi në Hoqë të Madhe, ai e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “organizatë terroriste” dhe i ka krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda ndërkombëtare. Pas këtij fjalimi në Rahovec, ai u ndalua në pikën kufitare në Bërnjak dhe u dërgua në mbajtje policore.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 20 korrik i caktoi masën e paraburgimit prej një muaji ndihmësit të drejtorit të Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Igor Popoviq, i dyshuar për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më herët mbajti një konferencë për media, duke thënë se Popoviq po trajtohet nga institucionet e drejtësisë në Kosovë me profesionalizëm dhe në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
“Duke sulmuar vlerën më të shenjtë të shqiptarëve që është Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), përmes deklarimeve të tilla, qartësisht të sinkronizuara, ata kanë për qëllim nxitjen dhe provokimin e tensioneve. Deklarata të tilla, përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Ato nuk duhen neglizhuar”, theksoi Kurti.
Kurti i bëri thirrje Bashkimit Evropian (BE), NATO-s dhe gjithë bashkësisë ndërkombëtare që të reagojnë qartë dhe me vendosmëri ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiqit, i cili, sipas tij “po bën fushatë për destabilizimin e Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor”.
Pas caktimit të masës së paraburgimit për Popoviqin, Vuçiq tha se Beogradi zyrtar i ka njoftuar të gjithë partnerët ndërkombëtarë për këtë masë, duke shtuar se “kjo mund të ketë pasoja të paparashikueshme”