Sërish pauzë në takimin Kurti-Vuçiq, dalin detaje

Edhe pas më shumë se 10 orësh, nuk kanë përfunduar bisedimet në Ohër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian.

Mësohet se takimi trelateral është ndërprerë për të dytën herë dhe se palët do të rikthehen sërish në bisedime.

Kosova dhe Serbia po bisedojnë për zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e raporteve, për përmbajtjen e të cilit u darkoduan në takimin e 27 shkurtit në Bruksel.

Fillimisht krerët e dy shteteve u takuan ndaras me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Këto takime nisën në orën 10:00.

Pastaj, pak pas orës 15:00 ka nisur takimi trelateral. Ky takim më herët gjatë ditës u ndërpre për mbi një orë, po ashtu për shkak të një pauze.

Ndryshe, BE-ja më herët tha se Kurtit dhe Vuçiqit do t’iu prezantojnë një “plan të konsoliduar” të zbatimit të këtij propozimi, që synon t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje përfundimtare.

E teksa liderët e Kosovës dhe Serbisë po zhvillojnë bisedime, shumë gazetarë janë duke e përcjellë këtë ngjarje nga qendra mediale në Ohër.

Kjo qendër është vendosur në një objekt tjetër, afër vilës ku po mbahen bisedimet. /Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu