Shaip Kamberi: Ç’tha ky shqiptar që shkundi serbët?

“Është e trishtueshme për demokracinë, sepse një Kuvend të tillë nuk do të mund ta prodhonte as Sllobodan Millosheviqi”, ka thënë shefi i grupit parlamentar Lugina e Bashkuar – SDA e Sanxhakut, Shaip Kamberi, gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Serbisë, më 28 tetor. Këto fjalë kanë nxitur reagime të shumta të përfaqësuesve të pushtetit në Serbi, por edhe në rrjetet sociale.

“Alleksandar Vuçiqi dhe (Ivica) Daçiqi, janë treguar më efikas sesa baballarët e tyre politikë”, ka theksuar Kamberi gjatë fjalimit të tij.

Sonja Biserko, kryetare e organizatës joqeveritare “Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut” në Serbi, i vlerëson fjalët e Kamberit, si një deklaratë e guximshme.

“Ky është një zë mjaft i fuqishëm i përfaqësuesve të pakicës shqiptare, e cila deri më tash ka qenë në Kuvend, por nuk ka qenë kaq eksplicite dhe mendoj që kjo është një deklaratë e guximshme dhe e domosdoshme për kuvendin serb“, theksoi Biserko për Radion Evropa e Lirë.

Politologu, Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që fjalimi i Kamberit ka qenë përmbajtësor, politikisht korrekt dhe i ndërtuar mbi parimin qytetar. Sipas tij, ky fjalim nuk ishte zë opozitar, por një zë përbashkues i asaj që njihet si Serbi qytetare dhe demokratike.

“I gjithë fjalimi përshkruhej me orientimin evropian të Serbisë, me drejtimin që të ketë demokraci, që të respektohen të gjitha dallimet, si dhe me kritikën ndaj qeverisë aktuale, por edhe të politikës aktuale të presidentit, Alleksandar Vuçiq, që po shkon drejt autokracisë, duke e shtypur çdo zë opozitar”, theksoi Tahiri.

Çfarë tha Kamberi?

Gjatë fjalimit të tij në seancën e Kuvendit të Serbisë, në të cilën u zgjodh qeveria e re serbe, Kamberi vlerësoi se midis 250 deputetëve, opozita përfaqësohet nga vetëm gjashtë deputetë të partive të pakicave dhe deklaroi se grupi i tij parlamentar, i cili përbëhet nga gjashtë deputetë, nuk do të mbështesë qeverinë e re serbe. Si arsye për një vendim të tillë, Kamberi e ka theksuar atë që qeveria e kaluar me në krye Ana Bërnabiqin, nuk ka bërë asgjë për integrimin e shqiptarëve që jetojnë në jug të Serbisë.

“Unë nuk përfaqësoj as të verdhët, as të kuqtë, as të zinjtë, por shqiptarët e diskriminuar të Luginës së Preshevës”, ka thënë Kamberi.

Ai gjithashtu theksoi se, askush nga pakicat nuk udhëheqë me ndonjërën prej ministrive të qeverisë së re.

“Një koalicion i përbërë nga kinse qendra e majtë dhe e djathtë prodhoi një qeveri totalitare në Serbi, si kurrë më parë, natyrisht përmes procesit zgjedhor. E vërteta e vetme në slloganin ‘Serbia është Evropë’ është ‘Serbia është Bjellorusi’, megjithëse atje ka opozitë, të paktën në rrugë”, ka thënë Kamberi.

Kamberi deklaroi se në Serbi ka “gjuhë të urrejtjes në përdishmëri, seksizëm dhe denigrim të opozitës”. Ai, gjithashtu vlerësoi se ksenofobia po lulëzon, ashtu sikurse etiketimi me emra fyes, i cili ka hyrë në “zhargonin e përditshëm”.

Kamberi vlerësoi gjithashtu se nga Serbia nuk mund të pritet që të zgjidhë çështjen e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, përderisa, ndër të tjera, vrasja e gazetarit (pronarit dhe kryeredaktorit të së përditshmes “Dnevni Telegraf”), Slavko Quruvija, nuk është zgjidhur.

Deklarata e tij i referohej çështjes së vrasjes së tre vëllezërve Bytyqi – Yllit, Agronit dhe Mehmetit, të cilët u arrestuan më 1999 në hyrje të Serbisë për, siç pretendonin autoritetet e atëhershme serbe, kalim të paligjshëm të kufirin. Pas lirimit nga burgu, pas kryerjes së dënimit, ishin vrarë.

Trupat e tyre u zbuluan në korrik të vitit 2001 në një varr masiv në Petrovo Selo, në Serbinë lindore. Kërkesa për të ndriçuar këtë çështje erdhi në Serbi në disa raste nga instancat më të larta botërore, përfshirë Uashingtonin.

“Unë jam kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, i cili ka avokuar institucionalisht për të drejtat e shqiptarëve që nga vitit 1990, unë kam një pasaportë serbe, por në Serbinë e sotme, nuk kanë rëndësi shtetësia dhe qytetaria.Atëherë si mund të presim lirinë dhe barazinë”, ka thënë Kamberi në fjalimin e tij.

Ai theksoi që më parë “njerëzit kanë ikur për shkak

Kamberi i bëri thirrje kryeministres, Bërnabiq që së bashku me të ta vizitojë Batajnicën, Peruqacin, Petrovo Selon dhe Rudnicën, ku dyshohet se shqiptarët nga Kosova, të vrarë gjatë luftës në fund të viteve 1990, ishin varrosur në varreza masive, si dhe duke theksuar se këto ishin kryer nga “strukturat e organizuara të shtetit”, të cilin ajo tani e përfaqëson.

“Këto krime lufte ishin urdhëruar dhe kryer nga zyrtarë serbë. Nuk ka prosperitet pa pajtim, nuk ka pajtim pa u ballafaquar me të kaluarën”, ka thënë Kamberi.

Reagime të ashpra ndaj deklaratave të Kamberit

I pari që reagoi ndaj fjalimit të Kamberit, ishte kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili është edhe lider i Partisë Socialiste të Serbisë, themelues dhe kryetar i së cilës nga viti 1990 e deri në vdekjen, më 2006, ishte Sllobodan Millosheviq.

Daçiq e paralajmëroi Kamberin, gjatë seancës, duke i thënë që duhet të përdorë “një fjalor që është i përshtatshëm për Kuvendin, në mënyrë që ai të mos detyrohet të marrë masa”. Daçiq shtoi se prezantimi i Kamberit ishte “provokues”.

“Askush nuk ka paragjykime për shkak të identitetit tuaj, por për shkak të asaj që ju po thoni. Akuzat janë pa asnjë bazë dhe një imazh i rremë se ekziston njëfarë pabarazie e pakicave”, tha Daçiq.

Mandatarja për përbërjen e qeverisë së re, e cili u zgjodh kryeministre disa orë më vonë, Ana Bërnabiq deklaroi se nuk është e vërtetë që shqiptarët që jetojnë në komuna në jug të Serbisë janë të diskriminuar. Ajo e pyeti Kamberin se “çfarë ke bërë ti për ta”, duke thënë se ai ka qenë në politikë më shumë se shumica e të pranishmëve në Kuvend.

Ndaj deklaratave të Kamberit ka reaguar edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se Kamberi nuk ka shumë bazë për të fajësuar autoritetet në Serbi për totalitarizmin dhe mosrespektimin e të drejtave të pakicave.

“Dikush që dëboi 42 për qind të serbëve nga pushteti në Bujanoc flet për rrezikimin e komuniteteve pakicë. Ata po kërkojnë një pozicion ministror me 0,5 për qind të popullsisë në Serbinë qendrore dhe në Vojvodinë, ndërkaq ata që kanë 42 për qind nuk lejohen të marrin pjesë në qeveri. Kaq për totalitarizmin” tha Vuçiq.

Ai shtoi se ishte i lumtur që shqiptarët në Serbi mund të flisnin kaq hapur për këto probleme, para një audience milionëshe.

A guxojnë disa të tjerë që këtë ta thonë në Prishtinë, Tiranë apo diku tjetër? Ata ankohen se nuk morën një post ministror. Ne ua ofruam një zëvendës, por duket se kishim një vlerësim të mirë për të mos i dhënë postin ministror dikujt që flet kështu për vendin e tij”, tha Vuçiq.

Artikulim i së ardhmes

“Mendoj që për herë të parë kemi zë në Kuvend, sidomos në një kuvend të tillë që është njëpartiak dhe i një mendësie, zë i cili për herë të parë në kuvend ka sjellë disa fakte që janë shumë të rëndësishme për Serbinë, por edhe për t’u ballafaquar me të kaluarën“, theksoi Biserko.

Pa një zë të tillë, siç thotë ajo, Serbia “nuk mund ta artikulojë të ardhmen e saj, sidomos marrëdhëniet e saja në rajon“.

Biserko thekson që edhe përfaqësuesit tjerë të popullit serb duhet të flasin në të njëjtën mënyrë, sepse siç thotë ajo, para Serbisë është një proces i rëndësishëm i ballafaqimit dhe i normalizimit të marrëdhënieve në rajon.

Sipas saj, zëri i përfaqësuesve të komunitetit pakicë shqiptar është i rëndësishëm edhe në kontekstin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Mendoj se ai zë është i rëndësishëm për shkak se në këtë dialogun Beograd-Prishtinë, pakica shqiptare në Serbi asnjëherë nuk ka pasur vend, as përfaqësim dhe as që është marrë parasysh situata e shqiptarëve në jug të Serbisë“, theksoi Biserko.

të luftërave, ndërkaq sot ata po ikin për shkak të autoritarizmit”, dhe se “Serbia ka sunduesin e saj, prej të cilin varet fati i secilit prej nesh, duke përfshirë Qeverinë”, duke aluduar në kryetarin e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) dhe presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq.

Politologu, Ramush Tahiri, vlerëson se është mirë që një fjalim i tillë, siç e kishte paraqitur deputeti Kamberi në Kuvendin e Serbisë, është pranuar mirë nga intelektualët dhe nga elita në Serbi dhe nuk është trajtuar si fjalim i një shqiptari, por si fjalim i një qytetari të Serbisë, i cili, siç tha ai, “ia do të mirën Serbisë si shtet dhe si shoqëri e demokratizuar, si dhe mbarë rajonit”.

Përkrahjen që ka marrë në opinionin në Serbi fjalimi i Kamberit, politologu Tahiri e sheh si hapje të vizionit, përkrahje të mendimit kritik dhe tejkalim të ndarjeve partiake, etnike dhe fetare.

“Fjala e Shaip Kamberit ishte fjalë qytetare që e kalon çdo dallim dhe ishte fjalë e sinqertë për atë se si e sheh të tashmen, por sidomos të ardhmen e Serbisë. Kjo përkrahje, në secilën pjesë të fjalimit, unë besoj që vetëm do të zgjerohet dhe do të jetë një mendim dhe qëndrim kritik edhe i opozitës, e sidomos i elitës intelektuale në Serbi, sepse argumentet janë argumente dhe ato janë të pranueshme për cilëndo pjesë të historisë për të cilën ai foli, por edhe për cilindo koncept për të ardhmen e Serbisë”, theksoi Tahiri.

Fjalimi i tillë, siç shtoi Tahiri, “do t’i bënte nderë cilitdo parlament në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe është një përkushtim që përmes argumenteve të ndërtohen raportet politike brenda shtetit, por edhe në vet Kuvendin e Serbisë”.

Akuzat dhe etiketimet

Drejtori i organizatës joqeveritare Qendra për rajonalizim nga Novi Sadi, Aleksandar Popov, thotë për Radion Evropa e Lirë se atë që e ka thënë Kamberi në Kuvendin e Serbisë, do të mund ta thoshte cilido deputet tjetër opozitar.

“Në fakt, nuk do të thoshte asgjë që nuk është vërtetë. Po ta thoshte këtë në fjalimin e tij dikush nga opozita e Serbisë – sikur ajo të ekzistonte fare në Kuvend, por që nuk ekziston – atëherë do të vinin akuza të llojit tjetër, se bëhet fjalë për manjatë, si dhe do të merrnin lloj-lloj etiketash të ndryshme“, theksoi Popov.

Sipas tij, ndryshimi i vetëm do të ishte në atë se e ka thënë një njeri që nuk është me komb shqiptar dhe pastaj kjo do të kishte konotacion tjetër.

“Nëse pjesëtarët e pakicave nuk i gëzojnë të drejtat dhe nëse nuk ndjehen mirë, atëherë, sipas rregullit, do të duhej që as pjesëtarët e shumicës të mos ndjehen mirë, sepse atëherë do të thotë se këtu nuk ka sundim të ligjit dhe nuk ka liri qytetare në kuptimin e plotë të asaj fjale“, tha Popov dhe shtoi: “Nëse cilido qytetar nuk është i sigurtë, pa marrë parasysh se cilit komb apo besim i takon, atëherë askush nuk është i sigurt në një shtet të tillë“.

Reagimet në rrjetet sociale

Themeluesja dhe ish-drejtoresha e Qendrës për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, shkroi në llogarinë e saj në Twitter se për të gjitha ato që Kamberi i ka thënë në Kuvendin e Serbisë, “ne kemi nevojë sikurse për ajër”.

“Sot unë jam duke marrë frymë më lehtë”, ka thënë Kandiq.

Shkrimi i saj nxiti reagime të tjera.

Rada Trajkoviq, një politikane serbe nga Graçanica dhe kryetare e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, e quajti Kamberin udhëheqës të ri të opozitës.

“Të paktën ai në mes të Beogradit dhe para Kuvendit të Vuçiqit guxon t’ia thotë në sy regjimit. Për dallim nga Lista Serbe e cila rri në Prishtinë, hesht dhe miraton, ndërkaq që Mitrovica e zgjedh pa rezistencë”, ka shkruar Trajkoviq.

Marko Jakshiq nga Mitrovica e Veriut ka reaguar në Twitter duke thënë se ajo që ka deklaruar Kamberi, megjithatë nuk e bën atë si kreun e opozitës në Serbi.

“I qoftë për nderë e gjithë ajo që tha. Listën Serbe nuk mund ta krahasojmë me të, sepse ata janë qesharakë dhe nuk na ka faj ai që ato koka janë përfaqësuesit tanë në Kosovë. Por, e gjithë kjo nuk e bën atë udhëheqës të opozitës në Serbi”.

Slobodan Giorgev ka shkruar në Twitter që “Shaip Kamberi e meriton të paktën postin e sekretarit shtetëror në Ministrinë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave”, në Serbi.

Por, ndaj fjalimit të Kamberit ka pasur edhe reagime kundërshtuese. Branimir Saraçeviq ka shkruar në Twitter se Shaip Kamberi, “për të cilin po thuhet se është shef i opozitës, në fakt është kopjuesi më vullgar i deklaratave të moqalit opozitar”.

Ndërkaq, një komentues tjetër, me nofkën Garfilld ka thënë se “i njëjti Shaip Kamberi është ai që kërkon bashkimin e të ashtuquajturës ‘Luginë e Preshevës’ dhe Medvegjës me ‘shtetin’ e Kosovës”.

Kuvendi i Serbisë i ka gjithsej 250 deputetë. Lista e partisë në pushtet, Partisë Përparimtare Serbe, ka fituar 188 nga 250 ulëset e deputetëve të Kuvendit.

Qeverinë e re të Serbisë, e cila ka 21 resorë dhe dy minsitri pa portofol, Kuvendi i Serbisë e ka miratuar me 227 vota “për” dhe 5 vota “kundër”.

Katër partitë shiptare nga jugu i Serbisë, nga Presheva dhe Bujanoci, kanë marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare në Serbi, me 21 qershor, me listë të përbashkët, me emrin Alternativa demokratike shqiptare – Lugina e Bashkuar dhe kanë fituar 6 mandate të deputetëve.

Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës ka nëntë deputetë dhe Partia e Drejtësisë e Muamer Zukorliqit ka katër deputetë. Ata gjithashtu e kanë mbështetur zgjedhjen e Ivica Daçiç si kryetar të Kuvendit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu