Shaqiri e Xhaka, të hënën në “gojë të ujkut”

Të hënën, më 20 mars, kombëtarja e Zvicrës në futboll do të udhëtojë drejt Serbisë për të zhvilluar ndeshjen kundër Bjellorusisë në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Evropian.

Për shkak të sanksioneve të UEFA-s, bjellorusët zgjodhën ta luanin ndeshjen në Serbi, në Novi Sad, por pa tifozerinë e tyre.

Edhe gazetarët bjellorusë nuk do të mund të ndjekin ndeshjen, ndërsa policia do të vendosë gardhe rreth stadiumit gjatë ndeshjes, të cilat do të parandalojnë çdo grumbullim pranë stadiumit “Karagjorgje”.

Zviceranët do të mblidhen të hënën, në qendrën stërvitore të klubit të futbollit Bazel dhe më pas do të kenë një zonë tifozësh për tifozët dhe mediat. Ndeshja kundër Bjellorusisë është planifikuar për më 25 mars, ndërsa ardhja në Serbi është planifikuar dy ose një ditë më herët.

Ajo që është veçanërisht interesante janë masat e sigurisë që janë paralajmëruar dhe ka shumë mundësi që kjo të ndodhë ndër të tjera edhe për shkak të ardhjes së dy lojtarëve shqiptarë të Zvicrës.

Kryetrajneri i Zvicrës, Murat Jakin, së shpejti do të shpallë listën e futbollistëve që po llogarit në ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian ndaj Bjellorusisë dhe Izraelit. Në të pritet sigurisht që të jenë edhe Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, të cilët janë ndër lojtarët më të mirë të skuadrës së tyre.

Futbollistët e përmendur shkaktuan një ortek komentesh gjatë kampionatit botëror në Katar, më herët dhe në Botërorin e Rusisë, kur festuan golat e tyre ndaj Serbisë me shqiponjë. Në Serbi kjo lëvizje u konsiderua si një lloj provokimi serioz.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu