Sot, në seancën solemne të Qeverisë, shënuam 25-vjetorin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Ky është një moment historik që i dha vendit tonë një rrugë të re drejt paqes, stabilitetit dhe bashkëjetesës.
Si Ministër i Drejtësisë, e shoh këtë përvjetor jo vetëm si një mundësi për të kujtuar të kaluarën, por mbi të gjitha si një përgjegjësi për të ardhmen.
“Marrëveshja e Ohrit nuk është vetëm një dokument i historisë sonë. Ajo është përgjegjësi institucionale dhe standard që duhet të vazhdojmë ta ndërtojmë çdo ditë.”
Për mua, drejtësia nuk mund të jetë selektive. Barazia nuk mund të mbetet vetëm një parim në letër. Ato duhet të jenë pjesë e funksionimit të përditshëm të shtetit dhe e besimit të çdo qytetari te institucionet.
Mesazhi im 25 vite më pas është i qartë:
E ardhmja e vendit ndërtohet mbi respektin, barazinë, sundimin e ligjit dhe dinjitetin e çdo qytetari.
Në këtë përvjetor, kujtojmë rrugën që kemi kaluar, vlerësojmë arritjet dhe me përgjegjësi shikojmë drejt sfidave të së ardhmes.
Si institucione, detyrimi ynë është të mos e trajtojmë këtë Marrëveshje si kapitull të përfunduar. Ajo është pjesë e procesit të vazhdueshëm për ndërtimin e një shteti demokratik, të drejtë dhe të barabartë për të gjithë.
25 vjet paqe.
25 vjet përgjegjësi.
Një detyrë e përbashkët: të ndërtojmë një të ardhme më të drejtë për të gjithë!








