Shtetet e Bashkuara planifikojnë të tërheqin të gjithë 1 mijë ushtarët e tyre nga Siria brenda dy muajve të ardhshëm, sipas mediave amerikane.
The Wall Street Journal raportoi se Washingtoni do t’i japë fund pranisë së tij në vend, pasi qeveria siriane zgjeroi kontrollin mbi territorin dhe në fund të janarit arriti një marrëveshje për integrimin e Forcave Demokratike Siriane në shtetin sirian.
Edhe CBS News konfirmoi projektin, duke cituar zyrtarë amerikanë në kushte anonimiteti. Forcat amerikane kanë nisur së fundmi tërheqjen, përfshirë largimin nga bazat al-Tanf dhe al-Shaddadi, të përdorura në kuadër të koalicionit ndërkombëtar kundër Shtetit Islamik (IS).
SHBA kishte mbështetur forcat kurde që nga viti 2014 në luftën kundër xhihadistëve të IS-it, ku Forcat Demokratike Siriane (SDF) luajtën rol kyç.
Pas rrëzimit të Bashar al-Assad në fund të vitit 2024 dhe ardhjes në pushtet të Ahmad al-Sharaa, Washingtoni ka mbështetur presidentin e ri në përpjekjen për të vendosur autoritetin mbi të gjithë territorin sirian.
Shefi i diplomacisë amerikane, Marco Rubio, përshëndeti të dielën “trajektoren” e ndjekur nga Siria, pavarësisht “ditëve të vështira”.
Ndërkohë, SHBA ka përqendruar vëmendjen dhe kapacitetet ushtarake rreth Iranit, të cilin e kërcënon me sulm nëse nuk arrihet marrëveshje për programin bërthamor.
Sipas CNN dhe CBS News, ushtria amerikane është gati të kryejë goditje ndaj Iranit që këtë fundjavë, megjithëse Donald Trump nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar.










