SHBA goditi Iranin! Bombarduan objektet bërthamore në Natanz, Isfahan dhe Fordo

Vetëm disa orë pasi Donald Tramp deklaroi se shërbimi i tij kombëtar i inteligjencës kishte gabuar në vlerësimet se Irani nuk zhvillonte armë bërthamore, SHBA bombardoi tre objekte bërthamore. U sulmuan Natanzi, Isfahani dhe Fordo, ku punonin në pasurimin e uraniumit. Në sulm u përdorën avionët “B-2 Spirit”, të aftë të depërtojnë në mbrojtje ajrore komplekse dhe të kryejnë sulme precize ndaj objektivave të fortifikuara si rrjeti i nëndheshëm i objekteve bërthamore të Iranit.

Pas shpalljes së operacionit si shumë të suksesshëm dhe duke njoftuar se të gjithë avionët që morën pjesë në sulm u kthyen të sigurt, Tramp i kërcënoi Iranin me sulme të reja nëse nuk pranon paqe.

“Irani, agresori në Lindjen e Mesme, tani duhet të bëjë paqe. Nëse nuk e bëjnë këtë, sulmet e ardhshme do të jenë shumë më të mëdha dhe shumë më të lehta”, tha Donald Tramp – president i ShBA-ve.

Kryeministri izraelit, në një fjalim, falënderoi Trampin dhe tha se premtimi është përmbushur.

“Kujtoni që që në fillim të operacionit ju premtova se objektet bërthamore të Iranit do të shkatërroheshin, në një mënyrë apo tjetrën. Ky premtim është mbajtur”, theksoi Benjamin Netanjahu – kryeministër i Izraelit.

Sipas autoriteteve iraniane, rezervat e uraniumit të pasuruar ishin zhvendosur më parë nga qendrat bërthamore dhe aty nuk kishte lëndë të papërpunuara që në rast sulmi të mund të shkaktonin rrezatim. Agjencia iraniane për mbikëqyrjen bërthamore njoftoi se nuk ka shenja kontaminimi në zonat e goditura dhe nuk ka rrezik për banorët në rrethinë. Gjithashtu u bë e ditur se centrali bërthamor Fordo nuk pësuar dëme të konsiderueshme. Irani premtoi se do të mbrohet me të gjitha mjetet në dispozicion.

“Nuk ka linjë të kuqe që nuk e kanë kaluar. E fundit dhe më e rrezikshmja u kalua mbrëmë. Ata (SHBA) kaluan një linjë shumë të kuqe duke sulmuar objektet bërthamore”, pohoi Abas Aragçi – Ministër i Punëve të Jashtme të Iranit.

Para sulmit të SHBA-së, Izraeli zhvilloi një operacion ushtarak ku shkatërroi disa avionë iranianë dhe sisteme mbrojtëse kundërajrore.

Irani iu përgjigj me një valë të re raketash mbi territorin izraelit, duke goditur Haifën dhe Tel Avivin. Autoritetet izraelite raportojnë për persona të plagosur.

Ndërkohë, disa anëtarë të Kongresit amerikan, si demokratë ashtu edhe republikanë, kanë vënë në dyshim legjitimitetin e këtij sulmi nga presidenti Tramp, duke argumentuar se ai mori vendimin pa konsultim dhe pa miratimin e Kongresit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu