Zyra e Drejtësisë Penale Globale dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë kanë premtuar mbështetje shtesë për Departamentin e Krimeve të Luftës, në mënyrë që të nxirren para drejtësisë të gjithë kriminelët e luftës, pavarësisht prej përkatësisë etnike të tyre.
Këtë zotim e kanë deklaruar Ambasadori i përgjithshëm në Zyrën e Drejtësisë Penale Globale, Morse H. Tan, dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, në takimin që kanë zhvilluar të hënën me kryeprokurorin e Kosovës, Aleksandër Lumezi dhe me prokurorët e Departamentit të Krimeve të Luftës në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë thuhet se ambasadori Kosnett ka thënë se “përgjigja ndaj padrejtësisë është më shumë drejtësi”, ndërsa ambasadori Tan ka fokur lidhur me sfidat shqetësuese me të cilat përballet Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në përmbushjen e detyrave të saj.
Njoftimi i plotë i Ambasadës së SHBA-së në Kosovë:
Më 14 dhjetor, ambasadori i përgjithshëm për Zyrën e Drejtësisë Penale Globale, Morse H. Tan dhe ambasadori Kosnett u takuan me kryeprokurorin e shtetit Aleksandër Lumezi dhe prokurorët nga Departamenti i Krimeve të Luftës në Zyrën e Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK), përfshirë edhe shefin Blerim Isufaj. Të dy ambasadorët ritheksuan zotimin e Shteteve të Bashkuara për të sjellë të gjithë kriminelët e luftës para drejtësisë, pavarësisht kombësisë së tyre. Ambasadori Kosnett tha se “përgjigja ndaj padrejtësisë është më shumë drejtësi“. Ndërsa ambasadori Tan foli lidhur me sfidat shqetësuese me të cilat përballet PSRK në përmbushjen e këtyre çështjeve të rëndësishme.
Gjatë takimit, prokuroria kishte mundësinë t’u drejtohej ambasadorëve dhe t’i njoftoj me disa nga sfidat me të cilat përballen; Kryeprokurori i Shtetit Lumezi i informoi ambasadorët se për derisa zyra e tij kishte ndërmarrë hapa thelbësorë, PSRK trashëgoi më shumë se 900 raste të papërfunduara nga EULEX dhe u deshën më shumë resurse për të lëvizur para. Shefi Isufaj informoi grupin se mungesa e koordinimit me Serbinë dhe paaftësia për t’iu bashkuar INTERPOL-it dhe grupeve tjera ndërkombëtare, paraqitën pengesë në punën e tyre. Në fund, zëvendës-shefi Valdet Gashi foli për 19 aktakuzat që zyra e tij kishte ngritur që nga viti 2018, dhe një rast i cili arriti deri në gjykimin përfundimtar.
Zyra e Drejtësisë Penale Globale dhe ambasada amerikane u zotuan për mbështetje shtesë për Departamentin e Krimeve të Luftës.









