SHBA shiti armë në vlerë totale 175 miliardë dollarë në vitin 2020

Shitjet totale të armëve nga Shtetet e Bashkuara (SHBA) në vitin 2020 u rritën me 2,8 përqind në krahasim me vitin e kaluar dhe arritën një vlerë prej 175.08 miliardë dollarëshe. Clarke Cooper, Sekretari për Çështjet Politike dhe Ushtarake, dhe Heidi Grant, drejtoresha e Agjencisë së Sigurisë dhe Bashkëpunimit të Mbrojtjes pranë Pentagonit (DSCA), publikuan statistikat në një konferencë të përbashkët në Pentagon mbi shitjet e armëve të SHBA-së në vitin 2020.

Sipas tyre, Shtetet e Bashkuara gjeneruan 50,78 miliardë dollarë nga “shitjet ndërqeveritare ndaj ushtrive të huaja” dhe 124,3 miliardë dollarë nga “shitjet e drejtpërdrejta tregtare”. Sipas të njëjtave të dhëna, shitjet totale të ushtrisë amerikane shënuan rritje me 2,8 për qind krahasuar me vitin fiskal 2019 dhe u rritën nga 170,09 miliardë dollarë në 175,08 miliardë dollarë.

Shitja më e madhe për trupat e huaj në vitin 2020 është marrëveshja e arritur me Japoninë në shumën prej 23,11 miliardë dollarësh për shitjen e 105 avionëve F-35, dhe vendin e dytë dhe të tretë e zunë shitja e helikopterëve AH-64E në Marok me vlerë 4,25 miliardë dollarë dhe 3 miliardë dollarë shitje në fushën e aviacionit për Izraelin.

Shitja e F-35 Emirateve të Bashkuara Arabe

Cooper vuri në dukje se nëse Kongresi Amerikan miraton shitjen e avionëve F-35 për Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), e cila u miratua nga administrata e Donald Trump më 10 nëntor dhe është në një afat vlerësimi 30-ditësh, atëherë ajo do të të jetë një nga shitjet më të mëdha të armëve në kuadër të një marrëveshjeje së bashku me atë të arritur me Japoninë.

Cooper tha se Kongresi ka afat deri më 11 dhjetor dhe se dëshirojnë ta finalizojnë shitjen e avionëve F-35 për EBA-në në fund të kësaj periudhe, duke theksuar se i kanë marrë të gjitha hapat e nevojshëm për të adresuar shqetësimet e opinionit mbi atë se si ky vend do t’i përdorë armët në fjalë. Ai theksoi se punojnë ngushtë me vendet e huaja në të cilat ata shesin armë, në mënyrë që të parandalojnë përdorimin e atyre armëve mbi civilët, dhe se pas shitjes ata monitorojnë përdorimin e armëve, duke shtuar se e njëjta situatë është në rastin e EBA-së. Në Senatin Amerikan ka ende katër projektrezoluta që kundërshtojnë miratimin e administratës amerikane për shitjen e avionëve F-35 EBA-së.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu