Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, ka propozuar një takim trepalësh mes presidentit amerikan, Donald Trump, presidentit rus, Vladimir Putin, dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë vizitës së tij sekrete në Moskë javën e kaluar, në përpjekje për t’i dhënë fund luftës, kanë thënë për Axios dy burime të informuara për këtë çështje.
Kjo ishte hera e parë që Ratcliffe u përfshi personalisht në përpjekjet diplomatike për të arritur një përparim në zgjidhjen e konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës.
Vizita e Ratcliffe në Moskë synonte pjesërisht të përcaktonte nëse drejtuesit e shërbimeve ruse të inteligjencës mund të ndihmonin për ta bindur Putinin të rikthehej drejt rifillimit të negociatave të ndërmjetësuara nga SHBA-ja me Ukrainën, kanë thënë burimet.
Të premten, zyrtarët amerikanë informuan Zelenskyn për bisedimet e Ratcliffe në Moskë dhe për propozimin për një samit trepalësh.
Administrata Trump e ka hedhur më parë idenë e një takimi të tillë. Zelensky ka qenë dakord, por Putini e ka refuzuar.
Ratcliffe ka bërë një vizitë sekrete në Moskë të martën dhe është takuar me homologët e tij rusë: kreun e shërbimit të inteligjencës së jashtme SVR, Sergei Naryshkin, dhe drejtorin e FSB-së, Alexander Bortnikov.
Trumpi i ka thënë Axios se vizita e Ratcliffe ishte “punë standarde” dhe se nuk kishte për qëllim paralajmërimin e Rusisë kundër sulmeve ndaj territorit të NATO-s.
Ndërkohë, zyrtarët amerikanë i kanë thënë Zelenskyt se Ratcliffe kishte hedhur gjithashtu në tryezë në Moskë mundësinë e rifillimit të bisedimeve të paqes, kanë thënë burimet.
New York Times ka raportuar se Ratcliffe i kishte dhënë Bortnikovit “një vlerësim të zymtë” të gjendjes së luftës dhe i kishte bërë thirrje Rusisë të arrinte një marrëveshje përpara se situata e saj të përkeqësohej.
Burimet i kanë thënë Axios se Ratcliffe kishte arritur në përfundimin se Bortnikov është një aktor konstruktiv, i cili mund të ndihmojë në rifillimin e përpjekjeve diplomatike.
E zyrtarët ukrainas janë shumë skeptikë për qëllimet e Putinit dhe thonë se kanë informacione të inteligjencës që sugjerojnë se Putini po planifikon një përshkallëzim të madh të luftës.
Zëvendësshefi i kabinetit të Zelenskyt, Pavlo Palisa, u ka thënë gazetarëve të premten se Putini ka urdhëruar ushtrinë e tij të përgatisë disa skenarë operacionalë për një ofensivë në veri të Ukrainës, ku Kievi dhe Çernihivi janë identifikuar si zona kryesore.
Negociatat mes Rusisë dhe Ukrainës, të ndërmjetësuara nga administrata Trump, janë pezulluar në mes të shkurtit pasi filloi lufta me Iranin.
Të dërguarit e Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, kanë zhvilluar gjatë muajve të fundit bisedime të veçanta me negociatorët rusë dhe ukrainas. Por është bërë pak përparim.
Shefi i kabinetit të Zelenskyt, Kyrylo Budanov, u ka thënë mediave lokale të enjten se bisedimet me Rusinë të ndërmjetësuara nga SHBA-ja mund të rifillojnë në shtator./Koha.net










