Zëdhënësi i LSDM-së sot e ka kualifikuar qasjen e VMRO-DPMNE siç tha ai një letër ‘tualeti” e cila, sipas tij, do të dështojë “së shpejti”.
Tensionet midis LSDM dhe VMRO-DPMNE janë rritur shumë sot pas pjesës së parë të seancës së parlamentit, ku deputetët e VMRO-DPMNE janë vardisur herë njëri e herë tjetri për të folur si dhe ‘replikuar’ me njëri-tjetrin, skenar ky i partisë së Nikolla Gruevskit për të penguar punën normale të parlamentit.
Petre Shilegov tha se ngjarja e sotme në parlament pasqyron “gjendjen” e deputetëve të VMRO-DPMNE dhe llojet e pengesave të tyre ndaj themelimit të institucioneve të reja të vendit.
“Seanca e sotme flet se në çfarë gjendje janë deputetët e Gruevskit që t’i ikin përgjegjësisë dhe kriminalitetit të tyre” tha në një konferencë për shtyp Shilegovi.
“VMRO-DPMNE po zhvillon politikë ‘facoletë tualeti’, por shumë shpejt me këto facoleta do t’i fshijnë lotët e tyre”, vazhdoi më tutje zëdhënësi i LSDM-së.
Shilegov tha se qytetaret “janë dëshmitarë sot dhe e kanë të qartë se kush dëshiron që ta thellojë krizën. Replikat mes vete janë thyerje e rregullores së kuvendit… Nëse vazhdohet kështu do të pësoj kolaps sistemi shtetëror dhe e gjithë ekonomia. Bëjmë thirrje që sa më shpejt të përfundojnë këto replika… që është edhe thyerje e rregullores së Kuvendit”, tha Shilegovi.
Por deputetë të VMRO-DPMNE thonë se ajo çfarë ndodhi në pjesën e parë të seancës së sotme qenka “debat” parlamentar.
“Shilegov nuk e di rregulloren e kuvendit. Jemi dëshmitar që ditëve të kaluara nga LSDM-ja bënë thirrje për debat. Ja këtu (parlament) është vendi për debat por deputetet e LSDM-së po i ikin këtij debati,” tha Ilija Dimovski i VMRO-DPMNE-së në një konferencë për shtyp pak pas Shilegovit.