Shitësi belg i makinave bëhet princ pas testit të ADN-së

Një shitës belg makinash ka marrë titullin e princit në moshën 26-vjeçare, pasi një test ADN-je konfirmoi se ai është djali i princit Laurent, vëllait më të vogël të mbretit Philippe të Belgjikës.

Clément Vandenkerckhove mësoi për herë të parë identitetin e babait të tij kur ishte 16 vjeç. Nëna e tij, këngëtarja belge Wendy Van Wanten, i tregoi se babai i tij ishte princi Laurent. Sipas saj, të dy kishin pasur një lidhje gjatë viteve ’90, pasi ishin njohur rastësisht në një sfilatë mode në Paris.

Rreth gjashtë muaj më parë, pas konfirmimit të lidhjes biologjike përmes testit të ADN-së, princi Laurent e njohu ligjërisht Vandenkerckhove si djalin e tij. Atësia është regjistruar gjithashtu në regjistrin civil belg.

Me njohjen ligjore, 26-vjeçari ka fituar të njëjtat të drejta trashëgimie mbi pasurinë private të të atit si gjysmë-motra e tij, princesha Louise, dhe gjysmë-vëllezërit, princat Nicolas dhe Aymeric, fëmijët e Laurent me princeshën Claire.

Megjithatë, Vandenkerckhove nuk do të marrë pagesë mbretërore, nuk do të ketë detyra zyrtare dhe nuk gëzon të drejtën për të trashëguar fronin belg.

Ai mund të marrë mbiemrin e të atit, Saxe-Cobourg, por ka lënë të kuptohet se dëshiron të ruajë mbiemrin Vandenkerckhove.

“Jam krenar për mbiemrin Vandenkerckhove. Nëse do ta sakrifikoja këtë mbiemër familjar, do të ishte një tradhti ndaj gjithçkaje që nëna ime ka bërë për mua”, është shprehur ai.

Vandenkerckhove lindi në gusht të vitit 2000. Katër vjet pasi nëna i tregoi identitetin e babait, ai kontaktoi princin Laurent, i cili pranoi t’i nënshtrohej testit të ADN-së. Pas konfirmimit të atësisë, 26-vjeçari tregoi se mes tyre kishin nisur biseda “të hapura dhe të sinqerta”.

Ky nuk është rasti i parë i ngjashëm në familjen mbretërore belge. Delphine Boël, vajza e ish-mbretit Albert II, fitoi pas një beteje ligjore njohjen si vajza e tij dhe titullin e princeshës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu