Nga e hëna fillon funksionimi i “Safe City-t” edhe në Ohër, Strugë, Kërçovë dhe Dibër

Nga e hëna, më 12 tetor, sistemi i mbikëqyrjes së trafikut “Qyteti i Sigurt” do të fillojë të funksionojë edhe në rajonin e SPB-së Ohër, përkatësisht në Ohër, Strugë, Kërçovë dhe Dibër.

“Pas kontrolleve teknike dhe testimeve përfundimtare, kamerat e sistemit do të vihen në funksion në rrugët e rajonit të SPB-së Ohër”, bëjnë të ditur nga MPB-ja.

Zbatimin e sistemit “Qyteti i Sigurt” në territorin e SPB-së Ohër javën e kaluar e paralajmëroi edhe ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, gjatë vizitës në SPB-në Ohër dhe në Qendrën Rajonale Perëndim.

Me aktivizimin e sistemit, siç theksojnë nga Ministria, do të mundësohet kontroll më i shtuar dhe i vazhdueshëm i trafikut, zbulim në kohë i kundërvajtjeve në trafik, rritje e disiplinës në komunikacion dhe përmirësim i sigurisë rrugore.

MPB-ja u bën thirrje të gjithë shoferëve që t’i respektojnë me përpikëri rregullat dhe dispozitat e trafikut dhe, me sjellje të përgjegjshme, të kontribuojnë në rritjen e sigurisë në komunikacion.

Ministri Toshkovski deklaroi në Ohër se, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, këtë vit numri i personave të lënduar në aksidente trafiku është ulur për 20 për qind, përkatësisht janë regjistruar 34 viktima më pak.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu