Qeveria spanjolle ka miratuar dy ndryshime në legjislacionin e punës, me të cilat zgjerohen të drejtat e punonjësve. Pushimi i paguar për lindjen e fëmijës rritet në gjithsej 20 javë për secilin prind, ndërsa pushimi në rast të vdekjes së një anëtari të familjes së ngushtë zgjatet në 10 ditë pune, raportojnë mediat spanjolle.
Këshilli i Ministrave i Spanjës miratoi një dekret-ligj mbretëror, me të cilin pushimi i paguar për lindje, birësim dhe përkujdesje ndaj fëmijës zgjatet nga 19 në 20 javë për secilin prind. Kompensimi do të jetë 100 për qind e bazës së përcaktuar të pagës.
Secili prind do të ketë 20 javë pushim. Prej tyre, 18 javë mund të shfrytëzohen gjatë vitit të parë të jetës së fëmijës, ndërsa gjashtë javë janë të detyrueshme dhe duhet të merren pa ndërprerje menjëherë pas lindjes.
Dy javë të tjera fleksibile mund të shfrytëzohen në çdo moment, deri në moshën tetëvjeçare të fëmijës.
Për familjet me një prind, pushimi rritet nga 32 në 34 javë.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu zgjatjen e pushimit në rast vdekjeje të një anëtari të afërt të familjes nga dy në 10 ditë pune. Deri më tani, pushimi ishte katër ditë në rastet kur kërkohej udhëtim. Për humbjen e familjarëve të tjerë, si vëllezërit, motrat dhe gjyshërit, parashikohen nga tri deri në pesë ditë pune.
Dekreti mundëson edhe përshtatjen ose shkurtimin e orarit të punës për personat që kujdesen për familjarë që marrin trajtim paliativ. Gjithashtu, parashihet një ditë pushim i paguar për shoqërimin e një personi që i nënshtrohet procesit të vdekjes së asistuar.
Paketa e masave përfshin edhe vazhdimin e subvencioneve për transportin publik dhe taksës për bankat deri në fund të vitit 2027, si dhe lehtësime tatimore për të vetëpunësuarit dhe masa mbrojtëse për konsumatorët gjatë marrjes së kredive.










